Pyetësori për qytetin, historinë dhe të ardhmen, Balil Gjini: “Të kisha mundësi do të sillja Parisin në Berat”

Pyetësori për qytetin, historinë dhe të ardhmen, Balil Gjini: “Të kisha mundësi do të sillja Parisin në Berat”

Balil Gjini është poet, përkthyes dhe publicist. Për shumëkënd në këtë qytet ai nuk thotë asgjë, përveçse një njeri i shpenguar, që mban gjithmonë një kapelë në kokë, që luan shah në “Shtëpinë e Oficerëve”, që ka pasion futbollin…, por asgjë më shumë.
Sepse Gjini, qoftë me dashje, qoftë pa dashje, krijon, jeton dhe shkruan, për një realitet dhe për një lexues në perspektivë, ndërsa përditshmëria është e mbushur dhe kërkon shkrime dhe krijime të natyrës masive.
Por kjo s’përbën asnjë problem për të.
Dëshirës së “beratinews.com” për një intervistë për qytetin, historinë dhe të ardhmen iu përgjigj pozitivisht me dashamirësi, me kushtin që përgjigjet të mos jenë ashtu si shumë në këtë qytet do të kishin dëshiruar të ishin, por ashtu si Gjini e sheh gjithë këtë realitet.
Ai nuk ka kurrfarë hezitimi kur thotë se më 1914 në këtë qytet ka pasur luftë fetare, gjë që hedh poshtë mitin e rremë të harmonisë fetare, ndërsa si vit të mbrapshtë për qytetin përmend vitin ’97.
I pyetur për figurën më të rëndësishme në rrafshin historik dhe kulturor, Gjini thotë se padyshim ai është Iliaz Vrioni.

Bisedoi: Namir Lapardhaja

 

Çfarë përfaqëson qyteti për ju?
Qyteti përfaqëson një prush dritash. Uret e këtij zjarri shërbejnë për të trembur si kafshët tradicionale, ashtu edhe kafshët moderne që jetojnë në guvat e shpirtit tonë (ankthin, stresin etj).

Shprehja “na mbytën fshatarët” e përdorur aq shpesh në këtë qytet, sipas jush, çfarë tregon?
Eshte shprehja e impotenteve, e atyre që fatin duan ta bëjnë vlerë. Historia e qytetërimit është historia e ardhacakeve, të cilët, duke mos pasur rrënjë, janë të detyruar të mbijetojnë përmes risive, novitetit. Ata kanë bërë NEW-YORKUN, ata kanë bërë edhe Tiranën.

Nëse do ta kishe drejtuar ndonjëherë Beratin, nga do t’ia kishe nisur?
Nga administrata.

Tek cili personazh historik/kulturor/politik e shihni të mishëruar qytetin?
Tek Iliaz Vrioni.

Në konceptin tuaj, cila është ngjarja më e rëndësishme për Beratin (në aspektin lokal dhe kombëtar)?
Ruajtja e kodikëve.

Nëse do kishte një vit të mbrapsht për qytetin, cili do të ishte ai?
Ka qenë 97. Ai është arkivoli i zi në odane e kuqe. Kufoma e këtij viti vroneps e kutërbon, duke molepsur gjithçka. S’ka shpëtim, nëse nuk del kjo kufomë jashtë: të gjallët me të gjallët, vrasësit me vrasësit.

Për ju harmonia fetare është një trill apo një realitet?
E ashtuquajtura “harmoni fetare” është një nga mitet me pjellore të këtij vendi. Logjika me elementare ta thotë që kushdo besimtar i një feje, s’ka pse të ketë aq respekt për fenë tjetër, sepse fetë kanë lindur për të kundërshtuar diçka radikale tek të tjerat. Ne 1914 ka pasur luftë fetare. Shqiptarët janë në përgjithësi një popull ateist dhe pagan. Vini re disa nga betimet: për këtë bukë, për atë Diell që vete lodhur. Shumë nga godinat fetare janë ndërtuar mbi tempujt, apo mëkatet pagane. Shembuj: Kishat në shkëmb. Kjo frymë pagane dhe ateiste ka ngjizur gjithë bërthamën e mitit të harmonisë fetare.

Cilat janë 3 gjërat që do t’i kishe ndryshuar qytetit?

Më e mira do të ishte që këtë qytet ta shndërroje në kalë, ta godisje me një thuper në vithe dhe të merte arratinë drejt stepave komuniste. Të kishe dhe një fre në dorë, t’ia hidhje Parisit në qafë dhe ta sillje këtu, në vend të tij.

Nëse do të kishte një gjë për të cilën Berati do ta meritonte kujtesën historike dhe botërore, kë do të veçoje?
Nuk mendoj se ky qytet ka ndonjë gjë aq të vyer. Nuk jemi as Kajroja, as Palestina.

Prej emrave që e kanë drejtuar Beratin, që prej Pavarësisë e në vazhdim, kush mendon se është ngulitur në kujtesën e banorëve të këtij qyteti?
Besoj se është Iliaz Vrioni. Dy herë kryeminister dhe po aq herë kryetar i bashkisë. Gruaja e tij dinte disa gjuhë të huaja dhe sarajet i kishte kthyer në sallone letrare për zonjat e qytetjt, ku flitej për poezinë dhe muziken.

Related posts