REPORTAZH: Në Berat, shpirti bën rehat

REPORTAZH: Në Berat, shpirti bën rehat

10806927_10205019991562539_987026243_n

Nga Nini Mano (Haxhistasa)

Dikur tregohej si histori se, cupat që martoheshin larg Beratit, kur vinin tek prindërit, nisnin t’u lotonin sytë nga malli sapo shikonin Kalanë. Dhe sikurse historia përsëritet, këtë ndjesi e ka cdo beratas, që rikthehet në qytet ku vërteton shprehjen e vjetër qytetare: “Në Berat, bën rehat”. Një nga mijëra emigrantë të larguar nga qyteti i lindjes thotë : “sa herë rikthehesh, edhe pse nuk sheh më fytyrat e njohura dikur e mund të ecësh nga fillimi në fund pa përshendetur askënd, me banorët që kanë ngelur tek kënaqesia e xhiros së darkës nga Turizmi tek Bab Duda, ndjen se je në shtëpi. Edhe pse nuk e ndan dot kohën kur jetuam në Berat nëse ishim, apo jo të lumtur, të paktën ishim ngrohtë, se ishim “në shtëpi”. Berati është ajo shtëpi, që nuk e gjetëm dot më, sido që shkuam drejt metropoleve …”. Se me mallin, rri dhe kujtesa, mbetur bukurish si Kalaja, Mangalemi, Gorica, që mahnisin cdo turist, po aq sa dhe mrekullitë përqark qytetit, ku natyra mban me “hatër” perimetrin e tij. Një grup gazetarësh nga Kosova teksa vizitojnë Muzeun “Onufri” në Kala, ndihen mirë sepse njohin më shumë për tokën mëmë, aq shumë të ndarë. Tek Muzeu “Onufri” në Kala, Marku, një shkodran shpreh sa entuziamin për takimin me një kulturë të plotë aq me shumicë në Berat, aq dhe pakënaqësinë: “kjo mrekulli të lë pa gojë edhe pse gjen plehra, po si kudo”. Për beratasin qytetar, mësuar me rrugicat e pastra të lagjeve, asgjë nuk justifikon pamjen plot mbeturina rrëzë kështjellës, në disa rrugica, nën pishat diku më poshtë. Sikurse as lagjet e reja, mbirë si “kërpudhat pas shiut” mbi varrezat e Dëshmorëve, mbi agjencinë e vjetër, tek-tuk edhe nëpër lagje, ku njeri në paligjshmëri kanë ndërtuar sipas kokës së vet. Janë dëshmi që tregojnë papërgjegjshmërinë e pushteteve vendore, që as mbrojtën tokën e pakët në qytet, as detyruan arkitektet urbane që të lidhnin harmonishëm bukurinë madhështore afruar nga lagjet e vjetra shekullore.

Turizëm kulturor me histori familjesh qytetare

Pozicioni gjeografik si “xhep” i Beratit, mosveprimi i pushteteve lokale në këto 23 vjet, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitët e fundit të mendojnë mbijetesën përmes turizmit. Deri tani gati 30 banesa të vjetra qindravjecare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin dhe drurin. Këtu turisti nuk befasohet thjeshtë nga dhomat me baxha, apo mbështur në shkemb, sic janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, “Hotel Aleksander”, qerasjet me liko e lëng trandafili, tradita të vjetra qytetare, por kur sidomos përballet me histori familjesh të hershme gati mistike… Lorenc Pushi ka kthyer në hotel familjar në Goricë banesën 500-vjecare, ndërtuar së pari nga familja pasanike arbëreshe Kapedani, ku hyri nuse motra e Kostandin Kristoforidhit, i cili jetoi vetë aty një farë kohe dhe para një shekulli u ble nga firmëtari i Pavarësisë, Dhimitër Tutulani, aty lindën Margarita dhe Kristaq Tutulani e më pas godina u ble nga familja Pushi. Lorenci tregon me pasion në oborrin mbuluar plot pemë e lule plot histori të cuditshme familjesh goricare, ku futesh në një botë historike mistike avokatësh, mësues, tregtare, emigrantësh të parë nga Mesjeta e deri sot. Se Kalaja, Gorica, Mangalemi, lagje të tjera mesjetare me vijushmëri jete si Celepiasi, Vakëf, Përrua afrojnë shumë histori. Hotel Restoranti i Tomi Mihos, në të ngjitur të Kalasë, është pjesë e sarajeve ndërtuar në shek XVIII nga Ahmet Kurt Pasha e më pas, pas vrasjes së tij, Ali Pashë Tepelena shëprbleu për besnikëri Vrionasit. Muret e Portës së Pashait janë ndërtuar me kolonadat e Apolonisë….Tradionale janë gatimet tek lokali i vogël i Koco Plakut në Kala, ku asnjë beratas nuk mund të rrijë pa shkuar, ku ndjen kënaqësi nëse fle në shtëpinë e Kristaq Simsisë aty. Mjaft banesa të vjetra janë shitur tek të tjerë, por në Berat, ndryshe nga qytetet e tjera, pronari i ri e njeh historinë e pronës që ka blerë dhe i tregon me respekt. Kështu ndodh në Berat, ndaj historitë tregohen gojë pas goje.

Tek “Pasarela” vec gatimit, shijohet kenga beratase

Migena Duro Hoxha me të shoqin drejtojnë prej 10 vitesh hotel- restorantin e tyre “Pasarela” në qëndër të qytetit, sot i vetmi ku këndohet kënga qytetare beratase nga Ajet Caushi, gjykon se nëse turisti i huaj vjen në Shqipëri nga kërshëria për të parë vendin e fundit komunist, për Beratin vjen për shumë më tepër. “Sot ka një turist kureshtar dhe ende jo elitar, sic duhet të jetë në Berat”, shprehet Migena, që i qëndron punës në kokë nga mëngjesi, në mesnatë. E diplomuar për marketing Turistik ndihet keq nga cilësia ende e ulët në paraqitjen e qytetit tek turistët nga zyra e informacionit, anglishtja e ciceronëve. Prej dy vitesh Migena ka shtuar 11 dhoma hoteli, ku gjen përditë grupe të vogla turistësh, që shijojnë natën në Berat, guzhinën tipike beratase dhe këngën qytetare. “Gatimi ka mbetur në traditën e gjysheve, këtu kjo është mënyja e parë për turistët si tava e baltës, tava me zogun me lëng, perimet e shumëllojshme, gatuar sipas traditës, tavat, gjellët, gatuar me vajin e ullirit të Bilcës, që rregullon shijen”, shton Migena. Për të produkti vendas është problem, që lidhet me prodhuesin: “fermerët thonë se janë BIO, por pas 23 vitesh, fara vendase ka humbur,ofertë-kerkesa në treg nuk ecën dot zinxhir, por ka mbetur bulmeti dhe mishi, që janë me shijë se malësia përreth ka kullota të mira, pa ndotje, ndaj ruhet ende shija, që duhet patjetër”. Vetë është blerëse e rregullt e likove, që prej pak vitesh një grup grash beratase i përgatisin dhe ua servir turistëve në mëngjes: “i marr tek Margalina Goxhomani, e cila me shumë pasion dhe dashuri bën likotë sipas stinës, ajo ka kthyer shtëpinë në një shkollë të vërtetë të tyre”. Migenës i pëlqen politika që ka nisur qeveria për shkollat profesionale, mendon se punimet artizanale beratase duhet të zhvillohen, sikurse gdhendja në dru e gur, që po ringrihen. Në Berat kapacitet pritëse turistike janë ende të pakta përballë një fluksi ditor mesatarisht 80 autobuza me turistë vendas e të huaj edhe pse janë ngritur disa hotele me më shumë dhoma si “Muzaka” në Goricë, “Gega”, “Berat City” me hotelin e ri tek ish-kombinati i tekstileve. Por mungon organizimi i tregut turistik, sepse nuk po bëhen dot bashkë pronarët për të krijuar një shoqatë hotelerike, ku të vendosen pika të përbashkëta zhvillimi. “Kjo do jetë me interes, se Berati di të presë mikun, “që e le në qoshe, pa e bërë zot shtëpije”. Në Berat bën rehat, kjo nuk është shenjë inferioriteti, përkundrazi, një butësi, që e sjell historia e zhvillimit të qytetit ndër shekuj, që mirëpriste udhëtarët me hanet e dikurshme”, thotë Migena Durro. Ndofta me këngën beratasit do hyjnë në garë me njeri-tjetrin. Të zgjedhur në shije, për beratasit kjo sjell dobësinë se përse kënga qytetare nuk këndohet nëpër lokale, por këngëtarja beratase Ludmilla Baballëku e jep shpjegimin: ”këtu nuk këndohet më si dikur, se qytetarët janë larguar me shumicë dhe janë ata që ua dinë vlerën këngës qytetare. Por duhet ndryshim sepse cdokush që vjen këtu, duhet të njohë edhe këngën, një identitet më vete në Berat”. Në pishinën e vetme që ndodhet në kompleksin shkollor “I. Ngjeqari”, të njëjtën përgjigje jep sipërmarrsja Resmije Ngjeqari: “kam ftuar disa herë këngëtarë, por beratasit rrinë ftohtë”.

Berati ka nevojë për qytetarin, kjo është shpresa

Cdo parti, që importon shumë njerez në politikë në këtë qytet, pa vënë asnjë vendas, i ka fyer beratasit, se cdo i ardhur përdor postin pa njohur njerëzit dhe rrugët e zhvillimit të qytetit dhe kjo përbën të keqen më të madhe për ta. Qindra familje ikën në 97-tën nga Berati për t’ua lënë vendin të ardhurve nga zonat rurale përreth, ku përshtatja do maturinë e vet, këtë e kanë bërë bukur dikur beratasit. Por sot nuk po durojnë më. Selektivë, gati në marrëzi, beratasit nuk falin as bashkëqytetarët, pasuruar me para të pistë. Dhe qyteti mbetet i heshtur, se parrallinjtë beratas investojnë nëpër Shqipëri, por jo aty, ku ndjejnë një përbuzje, gati harruese të qytetit. Ndodh se ja që kështu janë beratasit… Përgjatë viteve, ndonëse banesat në lagjet karakteristike mund të ktheheshin me kohë në hotele familjare, ku cdo familje nëse siguron pak financim, garanton kthimin e dy dhe tre dhomave për turistët, asnjë projekt konkret nuk nisi bashkia, qarku, prefektura. Kërkesa në rritje për të blerë banesa në lagjet karakteristike nga arkitektë, inxhinierë, piktorë e së fundi, politikanë, ka nxitur shpirtin mbrojtës beratas të atyre që nuk e braktisin më qytetin, por dhe të tjerë që mendojnë aty rikthimin. Ndihen të lodhur beratasit për cdo ngadalësi tashmë dhe po bëhen përherë e më shumë kritikë. Ndryshe nga ai anashkalimi proverbial beratas ndaj atij që nuk e do, sot indiferenca po ja lë vendin revoltës që po thuhet me zë, duke firmosur një ndryshim shekullor të të sjellurit qytetar. Beratasit janë kritikë dhe që u deshën 9 vjet që u hartua plani rregullues dhe menaxhues i territorit urban, nga 2004-2013, që përfshin statusin e Beratit si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, menaxhimin e Qendrës Historike, zgjeron vijën administrative të qytetit, përfshin Unazën, stabilizon qarkullimin e automjeteve, rehabilitimin e shtratin të lumit Osum, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e disa lulishteve, prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje, etj. “Ka vetёm njё “kasafortё” qё ta ruajё Beratin: njё legjislacion i shkruar dhe i zbatuar. Ҫelёsin e ruajtjes apo kodin e hapjes sё saj le ta “varin” atje, tek Shën Triadha apo Shën Mëhilli, se kёshtu, vandalёt, qё vodhёn ikonat dhe vlerat e qytetёrimit tonё dhe i shitёn nёpёr botё, nuk do tё guxojnё tё afrohen pёrsёri. keqbёrёsit nuk zhbёhen nga duart e ligjit, por nga tё njerёzve tё edukuar me ligj. Atje ku flet ligji, flet qytetёrimi, hesht barbaria. “Askush nuk ka obligimin e shenjtё tё zbatojё ligjin, mё shumё se ata qё e hartojnё “, shkruante Sofokliu”, gjykon beratasja Nadia Xheblati, që sot jeton në Nju Jork. Mimoza Osmani Kuscly, që jeton në Paris mendon se turizmi në Berat sot ka shumë vlera ende të panjohura, por duhet publicitet promocional i fuqishëm dhe njerëz që ta njohin dhe duan qytetin me pasion. “Sa herë vij, sjell ide dhe sivjet projekti im lidhet me të ardhmen, ku turizmi mbetet prioritet, por duhet zhvilluar me gjithë anekset plotësuese se transporti është kryesori që e cliron qytetin nga një mankth. Mot do sjell një grup francezësh, që e di se do befasohen me qëndrën, ku qendrojnë bashkë një kishë e xhami, që rrallë gjendet në botë. Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë këshëri për të kuptuar pse-në, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, likotë, qendisjet, punimet në dru nëse do ringrihen, beratasit do të fitojnë 10-fish. Është koha që beratasit të bëhen më luftarakë, të mos presin nga bota, por të ringrejnë veten për t’ja servirur vlerat qytetit. Po punoj për të bërë një binjakëzim të bashkisë ku jetoj në kurorën e Parisit, sepse duan të lidhen me një qytet që të jetë 100 km larg metropolit dhe të ketë një lum, që konsiderohet jetë, gjallërim. Osumi këtu në Berat ka nevojë urgjente për rregullim dhe pse jo, të mund futen dhe anijet e vogla shëtitëse. Të gjitha këto shërbime kthehen në të ardhura për qytetin, se Berati ka pasuri ende të pavlerësuar”. Brunilda Licaj, pedagoge në Departamentin e Turizmit në Universitetin “A. Moisiu” në Durrës dhe eksperte për turizmin, tregon pikat e forta dhe të dobëta në Berat sot: “pikat e forta janë arkitektura e qytetit me tre lagjet, por nëse pozicioni është favorizues, mirëmbajtja lë për të dëshiruar. Zona e Kalasë nuk mirëmbahet nga banorët, dhe jo cdo gjë të pritet nga projektet. Vetë pozicioni i favorshëm strategjik i qytetit, që bashkon Përmetin me Fierin dhe më gjerë, nuk favorizohet nga rruga e prishur. Ka investime të mira këtu me krijimin e bizneseve turistike, por sipërmarrja kërkon punonjës të kualifikuar. Në Berat ka shumë për të bërë në shërbimin në hotelet, lokalet. Mungojnë objektet artizanale tipike të qytetit aq me emër dikur dhe ndodh që në Kala të shiten mallra kineze!. Duhet ndërhyrë në pjesën muzeale me transformimin e shtëpive në hotele turistike në stil horizontal, ku shtëpitë dhe gratë e tyrë të bashkohen duke vendosur punën e tyre në shërbim. Duhet të krijohet një pikë takimi për të organizuar ndarjen e turistëve. Sot ka turizëm tradicional të elitës, ku turisti vjen të shijojë traditën. Në Berat turizimi është element zhvillimi, por duhet ndërgjegjësim. Ky qytet është histori, se mund të kthejë në pikë tërheqëse edhe gojëdhënat dhe legjendat, që i ka me shumicë”.

Related posts