Rrëfimi i fundit i motrës: Ja si i vranë Margarita dhe Kristaq Tutulanin!

Rrëfimi i fundit i motrës: Ja si i vranë Margarita dhe Kristaq Tutulanin!

Ky është rrëfimi i jashtëzakonshëm i Afërdita Tutulanit, motrës së heronjve të popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulanit, për gazetaren Rudina Xhunga.

Afërdita kujton me dhimbje ditët e fundit të jetës së motrës dhe vëllait të saj, torturat që kaluar për hir të idealit të tyre, deri në vdekjen tragjike me pushkatim.

Dritare.net e sjell këtë rrëfim, marrë nga libri “Fletorja e Luftës” të gazetares Rudina Xhunga, për të përkujtuar dhe mos harruar, ata që luftuan për lirinë e atdheut, në Ditën e Dëshmorëve.

Ky shkrim është homazh edhe për vetë motrën e heronjve Tutulani, Afërditën, që i pa e fundit dhe me atë imazh i kujtoi derisa u nda edhe vetë nga jeta.

“Gjyshi im ishte me arsim të lartë, një nga firmëtarët me Ismail Qemalin të Deklaratës së Pavarësisë. Neve na thoshte betohuni, ne betoheshim për Zotin dhe ai thoshte: Jo, betohuni për nder e për flamur!”

Ky ishte betimi që bënim ne. Ai atë frymë na transmetoi ne, familjes, babait tim që ka qenë deputet, ministër i Drejtësisë dhe Financave dhe që e helmoi Zogu.

Kështu që këtë frymë ne e morëm në familje. Shkon brez pas brezi edukimi. Të edukuar më këtë frymë, Kristaqi ishte në Liceun e Korçës e Margarita në shkollën “Nëna Mbretëreshë”. Isha në shkollën e saj këtë periudhë dhe më thoshin se mbanin mend se ka qenë shumë e bukur. Më erdhi inat se, mirë ka qenë e bukur, por ka qenë edhe luftëtare. Ishin ëndrra, e donin jetën, natyrën, e adhuronin Beratin. Kanë qenë njerëz me një botë shpirtërore të jashtëzakonshme, ishin artistë nga shpirti”.

E pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga, se si ishte takimi i fundit me Margaritën, Afërdita Tutulani shprehet: “Ata i arrestuan dhe i çuan në burg, ndërkohë kapën mamanë me gjithë tim motër për t’iu bërë presion. Ato ishin nisur të shkonin në kampe t’i kërkonin, në fakt ato ishin në burgun e Beratit. Unë shkoja dhe iu çoja ushqimin. I kishin torturuar, tim vëlla e gjeta me thonj të hequr, të gjakosur. Fillova të qaja, natyrisht. Të keni kujdes dokumentet, më thanë, se kishim shumë dokumente në shtëpi dhe i thuaji mamasë, më tha, se të tërë fëmijët partizanë janë fëmijët e saj.

Duke zbritur, takova Margaritën, se ajo ishte te burgu i grave. Donte një limë që të priste hekurat, po nuk ia arriti; edhe ajo 100 porosi më dha.

Kur vajta herë tjetër, më keq ishin torturuar, ndërsa ditën e tretë burgu ishte i rrethuar. “Do të na çojnë në kampet e përqendrimit, unë do të bëj si Qemal Stafa”, më tha Kristaqi. “Do të flas në gjyq.” Kjo ishte ëndrra e tij. Të mund të mbronte bindjet dhe mendimet e tij. Ky ishte takimi i fundit. Kur u ktheva sërish, ishte shumë vonë”.

Sigurisht që motra e heronjve të popullit ka mall për motrën e vëllain dhe për këtë ka bërë një libër: “Më merr malli shumë për ata. Kam bërë shumë mirë që bëra një libër për ta, sepse kështu flas me ta, edhe politikë bëj me ta. Do ishin politikanë shumë të shquar, të dy, nëse do jetonin”.

Sipas Afërditës, Margarita pavarësisht torturave që ka kaluar, ka rezistuar, por në momentin që kanë qëlluar vëllanë e tyre, rrugës teksa po i dërgonin në kamp përqendrimi, ajo është vërsulur për ta mbrojtur: “Margarita është torturuar, por ka rezistuar. Vetëm në momentin kur kanë qëlluar Kristaqin, është vërsulur dhe i ka përshkruar i njëjti plumb”.

Sa i takon Luftës Nacionalçlirimtare, Afërdita, e cila vetë ishte mësuese historie, u shpreh për Rudina Xhungën: “Kush më prek Luftën do të doja ta kafshoja. E them jo vetëm si motra e Margaritës dhe Kristaqit, por edhe si mësuese historie”./dritare.net

Related posts