Sadakaja dhe kauza e opozitës

Sadakaja dhe kauza e opozitës

Nga Yzedin HIMA –

Nëse ato pesë – gjashtë mijë lekë të vjetra do t’i quanim përkrahje sociale do t’i shtonim edhe një fyerje tjetër qytetarëve shqiptarë të lënë në mëshirë të fatit nga qeveritë dhe fati. Ajo shumë e mjerë, që nuk mjafton as për të larë faturat e energjisë elektrike dhe të ujit, mund të quhet me një term të vjetër, sadaka, e përdorur në të folmen e përditshme në vend të fjalës shqipe bamirësi. Përkrahja sociale nuk mund të reduktohet në lëmoshë apo në termin e butë bamirësi. Qeveria nuk bën bamirësi, por e ka detyrim përkrahjen sociale të qytetarëve në nevojë. Sadakaja është atribut i shoqatave bamirëse.

Edhe më e pavënd më duket vendosja e sadakasë në pikën numër një, si kauzë e opozitës, aktualisht. Opozita e sotme duhej t’i qendronte disi larg kësaj çëshjeje, sepse bëri tejet pak për këtë shtresë shoqërore, kur ishte në pushtet. Madje vetë ish-kryeministri ka kërkuar ndjesë publike për gjendjen në të cilën i la këta të pafatë. Kur them se fokusimi i opozitës është i gabuar, kurrsesi nuk përjashtoj vëmëndjen e saj te shtresat më të varfëra, përkundrazi. Partitë e djathta moderne kanë në bazë të tyre humanizmin, jo hipokrizinë si maskë a fytyrë e së majtës.
Të nxjerrësh në plan të parë sadakanë, kur vendi ka probleme mjaft të mprehta, do të thotë ta nxjerrësh “trenin” e opozitës nga shinat. Do të thotë të errësosh çështje të tilla si kriminalizimi i shtetit dhe i shoqërisë shqiptare, si dukuri që shqetëson Europën dhe vret të ardhmen e këtij vendi, çështje të cilën opozita me mjaft sukses e ngriti, por që befas e braktisi. Do të thotë të largosh vëmëndjen nga problemet e arsimit, ku dora – dorës fëmijët dhe të rinjtë po i dorëzojmë në duar të “mësuesve” gjysmëanalfabetë. Do të thotë të lësh jashtë syrit opozitar zhvillimin ekonomik, shkatërrimin e mjedisit, braktisjen e vendit, helmimin e tmerrshëm të mjedisit nga “tymi i kombinateve” të propagandës qeveritare etj. etj.
Të zvogëlosh kujdesin për qytetarët, thjesht në nevojën për egzistencën biologjike, bukën thatë të një shtrese shoqërore, do të thotë t’i marrësh atributet shoqatave bamirëse, ose atributet e ndonjë partie të ekstremit të majtë. Qytetarët shqiptarë nga opozita më e madhe presin që ajo të bëhët zëdhënëse e perspektivës së tyre europiane, jo vetëm të mendojë e luftojë për nevoja imediate biologjike të një shtrese shoqërore. Një parti e djathtë nuk bën zhurmë se si të ndahet mjerimi midis qytetarëve të vendit, por ngre zërin lart për të zhvilluar ekonominë, për të reformuar arsimin, për të hapur vende të reja pune dhe me këto kauza njëkohësisht ka ndihmuar edhe shtresën shoqërore ku është fokusuar. Partitë e ekstremit të majtë e kanë vëmëndjen te ndarja e barabartë e mjerimit, ndërsa partitë e djathta fokusohen tek rritja e prodhimit që sjell si rrjedhojë zhdukjen e varfërisë ekstreme dhe kthimin e lëmoshës në përkrahje të vërtetë sociale, ku qytetarët të ndihen të vlerësuar, jo të fyer.
Bashkia e Athinës në shekullin V p.e.s kujdesej për qytetarët e saj të varfër, duke u dhuruar bileta falas për teatrin e famshën të Dionisit me afro 17 mijë vende, ku luheshin tragjeditë e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit. Teatri që në zanafillë të tij ishte institucioni më demokratik i qytetit, ku qytearët, krahas kënaqësisë estetike pësonin edhe katarsisin, pastrimin dhe lartësimin shpirtëror e mendor.
Njëzetë e gjashtë shekuj më pas ne nuk jemi në gjendje t’u plotësojmë qytetarëve tanë ekzistencën biologjike. Dhe e quajmë luks kujdesin për nevojat e tyre shpirtërore e intelektuale. Kjo është trishtuese.
Herë – herë duket sikur një dorë diabolike e zhvendos vëmëndjen e shoqërisë sonë nga problemet e mprehta dhe e fokuson atë në çështje të vogla të ditës, duke na e sjellë dhunshëm horizontin te qepallat tona.
Flitet për detin dhe shitjen e tij te fqinjët tanë jugorë, por harrohet se mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë po ikin nga sytë këmbët duke e zvogëluar tragjikisht këtë vend. Nëse qytetarët shqiptarë, si pasuria më e madhe dhe më e rëndësishme e këtij vendi, nuk konsiderohen si pjesëza të atdheut që thërmohet, mpaket çdo ditë, atëherë kjo nuk është thjesht çështje perceptimi.

Related posts