Sejfi Protopapa: Unë, dëshmitari okular i luftës

Sejfi Protopapa: Unë, dëshmitari okular i luftës

Para ca kohësh, anëtarët e organizatës internetore Alb-Shkenca diskutuan rreth idesë se babai dhe gjyshi i të ndjerit Ibrahim Rugova ishin ekzekutuar nga komunistët në Kosovë, ngaqë ishin anëtarë të Ballit Kombëtar, e si të tillë, i binte të ishin bashkëpuntorë të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Se nga u motivua ky debat është për mua mister.  Sepse debati lindi kur njerëz nga e gjithë bota po nderonin njeriun, individin Ibrahim Rugova si një udhëheqës të vërtetë shqiptar, i cili, në rrugë paqësore, kërkoi me vendosmëri çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe.  Dhe mbi të gjitha, a duhet që fëmijtë dhe nipërit tanë të vuajnë apo të nënvleftësohen për shkak të veprimeve tona?

Gjëja më interesante në debatin tek Alb-Shkenca ishte se të dyja palët binin plotësisht dakord për një gjë: që çdo anëtar i Ballit Kombëtar automatikisht kishte qënë “i keq” dhe “ipso facto” një bashkëpuntor i nazizmit.

Z. Auron Tare përcolli në diskutim një dosier të zbulimit britanik si një provë përfundimtare të bashkëpunimit të babait dhe gjyshit të të ndjerit Rugova me nazistët.  Ai ofroi të njëjtën dosier për të ndihmuar Alb-Shkencën të shkruajë historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.  Dhe i njëjti Auron Tare më ofroi mua të njëjtën dosier për të provuar se Mit’hat  Frashëri ishte bashkëpuntor i nazizmit.

Unë i dërgova z. Tare një mesazh në të cilin i sugjeroja se ai dhe z. Kokonozi ( një tjetër diskutant) po i referoheshin Mehdi Frashërit, i cili kishte qënë Kryeministër gjatë luftës.  Ai m’u përgjigj se nuk po ngatërronte emrat.  Kjo më bëri t’i shkruaj disa fjalë për Mit’hat Frashërin, udhëheqësin tim gjatë luftës anti-fashiste të organizatës së Ballit Kombëtar në Shqipëri.

Në 7 prill 1939, kur Italianët pushtuan Shqipërinë, Mit’hat Frashëri ishte pronar i një librarie në Tiranë.  Në atë librari dhe në atë datë, i pati fillimet e saj organizata antifashiste e Ballit Kombëtar.

Asnjëherë gjatë kohës së luftës, Mit’hat Frashëri nuk u punësua në administratat e udhëhequra nga qeveritë e ndryshme kuislinge shqiptare.  Ai ishte udhëheqësi nominal i Ballit Kombëtar, dhe në këtë kapacitet, ai mbështetej nga një numër shqiptarësh të ndritur.  Ndër të cilët edhe këta njerëz:

Prof. Abaz Ermenji kishte studiuar në Universitetin e Sorbonës në Paris.  Ai u internua në ishullin e Ventottenes nga fashistët italianë.  Kur u lirua nga internimi, ai organizoi disa çeta luftëtarësh në verilindje të Beratit për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi italian.  Prof. Ermenji udhëhoqi çetat e tij në një ofensivë ushtarake kundër forcave fashiste në Berat (qyteti im i lindjes). Në atë operacion, forcat komuniste ndënjën mbi prapanicat e tyre dhe bënë sehir.  Gjatë luftës civile unë isha nën komandën e Prof. Ermenjit.

Prof. Vasil Andoni kishte studiuar në Universitetin Britanik në Stamboll.  Ai ishte professor në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit.  Ne e konsideronim atë si njeriun më aktiv për rilindjen e shkollave shqipe në Kososvë.  Ai ishte bashkëpuntori më i afërt i Mit’hat Frashërit.  Vëllai i tij, Alfredi, ishte zëri shqiptar në BBC-në e Londrës.

Prof. Safet Butka kishte studiuar në Austri.  Ai ishte professor në Liceun e Korçës kur u internua nga Italia fashiste në Ventottene.  Ai ishte udhëheqësi i forcave të Ballit Kombëtar në Kolonjë.

Prof. Zef Pali kishte studiuar për letërsi në Itali. Ai ishte professor në Gjimnazin e Shkodrës.  Ai ishte një orator dhe shkrimtar i shkëlqyer

Avokat Hasan Dosti, kishte studiuar për jurisprudencë në Universitetin e Sorbonës në Paris. Ai kishte qënë kryetari i Gjykatës së Lartë në Shqipëri.  Ai udhëhoqi delegacionin e Ballit Kombëtar në Konferencën e Mukjes, ku u takuan përfaqësues të dy grupeve antifashiste shqiptare: Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Avokat Skënder Muço u ekzekutua nga nazistët në Vlorë. Unë jam krenar për të gjithë udhëheqësit e mij të Ballit Kombëtar por e quaj veten me fat dhe të bekuar që pata mundësinë të njihem personalisht me z. Muço.  Si përfaqësues i Ballit Kombëtar, ai mbante lidhje me oficerin amerikan të stacionuar në afërsi të Himarës.

Z. Hysni Lepenica ishte një komandant i rëndësishëm i Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Jugut.  Ai u vra në krye të forcave balliste në luftimet me forcat italiane në Gerhot të Gjirokastrës.

Prof. Nexhat Peshkëpija, profesor matematike në Gjimnazin e Tiranës ishtë një nga bashkëpuntorët e parë të Mit’hat Frashërit.

Dhe lista mund të vazhdojë gjatë. 

Për hir të së vërtetës historike, Z. Auron Tare duhet të jetë i qartë se, në 7 prill 1939, nuk kishte parti komuniste në Shqipëri; kishte vetëm tre grupe komuniste.  Partia Komuniste u krijua vetëm pasi forcat gjermane filluan ofensivën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik në qershor 1941.  Deri në atë kohë, komunistët shqiptarë nuk ishin lejuar nga bosët e tyre sovjetikë të luftonin kundra pushtuesve italianë sepse në fuqi ishte një pakt mos-sulmimi i firmosur nga ministri i jashtëm gjerman Ribbentrop dhe ai sovjetik Molotov.

Unë e informova z. Tare se kam takuar personalisht gjatë luftës dy oficerët e misionit britanik në Shqipëri: Kolonel MacLean dhe  Major Julian Amery. Unë isha prezent por jo pjesmarrës në sulmin që forcat e Ballit Kombëtar i bënë një autokolone gjermane në rrugën për në Lezhë.  Unë i isha bashkangjitur misionit britanik që po vrojtonte operacionin nga një majë kodre në distancë. Në fakt, pas mbarimit të luftës, kontaktova me Mr. J. Amery (ai ishte anëtar i parlamentit britanik në atë kohë) për të nxjerrë nga kampet e aleatëve në Itali kushëririn tim Fatbardh Guri, i cili kishte qënë nën komandën e Abaz Ermenjit gjatë luftës civile.

Marrveshja e Mukjes në vitin 1943 midis Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar ishte evenimenti historik më i rëndësishëm që përcakton pozicionin anti-gjerman të Ballit.  Duke nënshkruar atë marrëveshje, komunistët e njohën automatikisht Ballin Kombëtar si një organizatë antifashiste.

Në komunikimin me Z. Tare i kërkova të fokusohej në këtë arsyetim:  Partia Komuniste synonte dhe punonte energjikisht për të marrë frenat e pushtetit në dorë.  Në bisedat private të udhëheqjes komuniste lufta partizane kundër gjermanëve trajtohej thjesht si një mjet për të arritur atë qëllim.  Ndërkohë që po planifikonin vendosjen e diktaturës komuniste ata nuk mund të lejonin bashkë-ekzistencën e një entiteti politik në vend.  Komunistët thjesht do harxhonin energjitë kot me sulme ndaj njerëzve si Mustafa Kruja, Shefqet Vërlaci, Ernest Koliqi, Xhafer Deva, e të tjerë që publikisht kishin mbështetur aksin Musolini-Hitler.  Ata kolaboratorë do të zhdukeshin automatikisht nga skena politike fill pas disfatës së forcave të Aksit.

Ishte pikërisht kjo arësyeja që komunistët i përqëndruan të gjitha forcat e tyre kundër Ballit Kombëtar.  Për më tepër, atyre u duhej të përballeshin me pasojat e Marrveshjes së Mukjes.

Fushata propogandistike dhe politike kundër Ballit Kombëtar injoroi të gjitha rregullat e ndershmërisë dhe arësyes.  Fushata filloi që në shkëndijat e para të luftës civile dhe vazhdoi pa pushim deri në rënien e regjimieve komuniste në Europën Lindore në fillim të viteve ’90. Çdo ngjarje, qënie njerzore, organizatë, e objekt që kërcënonte mendjen paranoiake të regjimit iu atribua Ballit Kombëtar dhe, si të tillë, u etiketuan si tradhëtarë e të rrezikshëm. Me etiketën e Ballit në kurriz, shumë njerëz u ekzekutuan e shumë familje vuajtën burgime dhe internime.  Me atë etiketim në kurriz, edhe fëmijët e vegjël vuajtën; ata privoheshin nga marrja e dhuratave për Vitin e Ri dhe përçmoheshin nga shokët e klasës. Të gjitha mjetet e komunikimit u përdorën për të ofenduar e tallur Ballin, duke përfshirë strukturat qeveritare e partiake, si dhe shkollat e mediat.

Vlen të pranoj këtu se Partia Komuniste ia doli mbanë në fushtën e saj propogandistike kundra Ballit Kombëtar, përderisa edhe sot, intelektualët shqiptarë (të vërtetë ose pseudo) akuzojnë të ndjerin Mit’hat Frashëri si një kolaborator të nazi-fashistëve.

Duke permbledhur, kam këto për të thënë:

1. Në Shqipëri, gjatë luftës së dytë botërore, ngjarjet politike ishin shumë komplekse. Një dosier i shërbimit sekret britanik nuk mund e nuk duhet të konsiderohet si bibla nga historianë seriozë që përpiqen të zbërthejnë historinë e Shqipërisë së asaj periudhe.

2. Nga rradhët e shërbimeve sekrete britanike doli edhe një Kim Philby, i cili ishte një agjent i dyfishtë i sovjetikëve. Mos bëhet fjalë për një dosier të tij?

3. Z. Abdulla Alarupi, një komandant i Ballit Kombëtar në zonën e Pogradecit, sulmoi një autokolonë gjermane që vinte nga Elbasani.  Si rezultat ai kapi rob dy ushtarë gjermanë.  Oficeri britanik pranë komandës së z. Alarupi kërkoi që ata të ekzekutoheshin.  Ndërsa Komandanti ballist refuzoi, duke iu referuar traditës shqiptare sipas së cilës një person i paarmatosur nuk mund të vritet.

Duhet patur parasysh se replika me z. Auron Tare është thjesht një element anësor në këtë shkrim.  Në thelb të shkrimit është pyetja: Si ka mundësi që intelektualët shqiptarë, me përtaci, vendosin ta quajnë Ballin Kombëtar si një organizatë fashiste.  Për këtë unë sfidoj çdo njeri që të debatojmë rreth kësaj çështje.

Për ata që dëshirojnë të kuptojnë plotësisht përmbajtjen politike të luftës civile në Shqipëri, sugjeroj ta konsiderojnë Marrëveshjen e Mukjes si pikën kulmore të asaj lufte.  Në fshatin Mukje, Fronti Nacional Çlirimtar dhe Balli Kombëtar ranë dakord që të koordinojnë operacionet luftarake antifashiste.  Balli Kombëtar përfaqësohej nga Hasan Dosti dhe Thoma Horollogaj. Në atë konferencë, Balli Kombëtar bëri vetëm dy kërkesa: që procesi demokratik të zbatohej me rigorozitet në Shqipërinë e pas luftës dhe që Kosovës t’i jepej e drejta të përcaktonte fatin e saj vetë, qoftë edhe me referendum po të ishte e nevojshme.  Në shkëmbim, Balli Kombëtar u ofroi komunistëve ta shkruanin si të donin pjesën tjetër të marrëveshjes rreth çështjeve politike e sociale.

Çdo njeri i paanshëm, e sidomos një intelektual shqiptar nuk duhet të ketë shumë vështirësi për të kuptuar se në Mukje vetë komunistët e njohën Ballin Kombëtar si një organizatë antifashiste.  Ata nuk bënë një marrëveshje të tillë me ndonjë organizatë tjetër.  Dhe në fakt, fill para luftës civile, Marrëveshja e Mukjes ishte preokupimi kryesor i Partisë Komuniste.

Unë këtë e di nga eksperienca personale sepse isha i pari person nga Balli Kombëtar që më ra në dorë një dokument me urdhërin e Partisë Komuniste për të filluar luftën civile kundër Ballit Kombëtar.  Ai dokument ishte nënshkruar nga Shpati (pseudonimi i Enver Hoxhës).

Në atë kohë Italia kapitulloi dhe forcat luftuese të të dyja kampeve u futën në qytetin tim të Beratit.  Forcat gjermane që zëvendësuan italianët nuk u futën në Berat.  Ata thjesht nuk kishin trupa të mjaftueshme për këtë gjë në atë stad të luftës.

Prof. Abaz Ermenji, udhëheqësi i forcave të Ballit për atë zonë, e ngriti shtabin e tij në godinën e Bashkisë, ndërsa komunistët e ngritën shtabin e tyre në ndërtesën e Prefekturës 1500 metra më në lindje. Të dyja palët bashkëjetuan për rreth dy muajsh në paqe.  Marrëveshja e Mukjes ishte akoma në fuqi.

Kur urdhëri për të filluar luftën civile arriti në Berat, kommunistët vendosën të evakuoheshin nga Berati.  Lufta civile filloi dhe vazhdimi i saj tashmë është regjistruar në histori.

Duhet pasur parasysh se, deri në shpërndarjen e forcave të Ballit Kombëtar në fund të vitit 1944, sidomos në Shqipërinë e jugut, ekzistonte një vakum i plotë pushteti dhe forca kundërshtare të armatosura konkuronin me njëra tjetrën.  Gjermanët kishin aq pak forca sa mezi mbronin urat në arterien kryesore bregdetare dhe në rrugën Tiranë-Korçë. Komunistët dukeshin qartë në avantazh në drejtim të marrjes së pushtetit pas tërheqjes së gjermanëve.  Si rrjedhim, forcat e Ballit Kombëtar, ishin të sanduiçuara midis atyre komuniste dhe gjermane.

Për shembull, forcat e Ballit Kombëtar në Berat, nuk i sulmuan gjermanët që mbronin nxjerrjen e naftës në Kuçovë, dhe këta të fundit nuk sulmuan ballistët në Berat.  Ndërkohë, komunistët, duke u treguar të mençur nuk sulmuan as forcat gjermane në Kuçovë e as ato balliste në Berat.  Vetëm pseudo historianët që dëshirojnë dhe/ose kanë nevojë të shtrëmbërojnë të vërtetën mund ta injorojnë bashkëjetesën e dy forcave antifashiste në Berat dhe marrëveshjen e Mukjes.

Në lidhje me situatën në Kosovë, dua të filloj me vizitën time atje në 1972 si një nënshtetas amerikan. Gjatë udhëtimit tim nuk kisha shqetësime për sigurinë time personale thjesht sepse z. Rankoviç, ministri i brendshëm, ishte eleminuar nga Tito në 1966.  Duhet theksuar se rënia e Rankoviçit shënoi një erë të re për Kosovën.  Më së fundi, shqiptarët e Kosovës me të vërtetë po bëheshin më të lirë dhe më të lumtur për mundësitë e ringjalljes së identitetit të tyre shqiptar.  Nga ajo vizitë në Kosovë do permend dy episode.

Tek po shkoja për në Gostivar, ndalova makinën kur pashë një djalë 10-vejçar që po ecte në këmbë.  E pyeta shqip se ku po shkonte.  Ai më tha se po shkonte në shkollën që dukej në majë të një kodre të lartë për të mësuar shkrim e lexim në shqip.

Gjithashtu, Unë shkova dhe në Beograd për të takuar z. Fadil Hoxha në zyrat e Partisë Komuniste të Kosovës, që ndodheshin në lagjen më të re beogradase.  Fadil Hoxha ishte përfaqsuesi i Kosovës në Federatën Jugosllave gjatë kohës së Titos. Por, fatkeqsisht, ai nuk ishte atje. Personit që e zëvendësonte atë i tregova se unë kisha marrë pjesë në luftën civile në Shqipëri si luftëtar i Ballit Kombëtar dhe se desha ta falenderoja z. Fadil Hoxha që i kishte shpëtuar jetën Ejup Binakut nga serbët e Kosovës.  Ejupi ishte një mik i im personal nga Gjakova, i cili kishte udhëhequr një grup prej 500 nacionalistësh shqiptarë që ishin pjesë e lëvizjes për shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia, të udhëhequr prej intelektualit me shkollim francez, Prof. Selman Riza.

Dua të theksoj se pavarësisht të kaluarës time si ballist, ose ndoshta pikërisht prej saj, zyrtarët komunistë shqiptarë në Beograd më trajtuan si një vëlla të vërtetë. Ata më dhanë drekë dhe më bënë një shëtitje për të parë qytetin.

Kuptohet që Balli Kombëtar në Shqipëri ishte përkrahës i flaktë i lëvizjes nacionaliste për pavarësi në Kosovë.  Ndërkohë, edhe shqiptarët e mirë kosovarë, e vlerësonin qartësinë e Ballit Kombëtar në lidhje me të drejtat politike dhe njerzore të shqiptarëve në Kosovë.

Gjithashtu nuk duhet harruar se misioni ushtarak britanik në Kosovë e kishte atëhere bazën në pronat e familjes Kryeziu. Ndërkohë që po në Kosovë kishte edhe një Xhafer Deva, i cili ishte pro-gjerman dhe i cili organizoi një forcë milicore që u dërgua pjesërisht në jug të Shqipërisë për të shtypur lëvizjen anti-gjermane atje. Duhet mbajtur shënim se forcat e Xhafer Devës ishin ato që vranë në Vlorë Hamit Meqemenë dhe Avokat Skënder Muçon, i cili ishte anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.

Partia “Balli Kombëtar” u krijua neë fillim të viteve 90 në Shqipëri pas rënies së komunizmit (Balli Kombëtar i viteve ’40 ishte thjesht një organizatë politike e jo një parti). Në fakt, në mënyrë të tërthortë, unë kontribuova për krijimin e asaj partie.  Gjithashtu, u takova me disa udhëheqës kosovarë në Zvicër për të diskutuar situatën në Kosovë.  Eventualisht, gjatë viteve ’90, shqiptarët në Kosovë dhe kosovarët në Zvicër krijuan partinë e tyre të “Ballit Kombëtar”

I solla këto fakte për të treguar se, me sa di unë, nuk kishte në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndonjë organizatë apo parti politike me emrin “Balli Kombëtar”.  Kuptohet që ka pasur shumë njerëz që e simpatizonin Ballin, e për rrjedhojë mund ta kenë quajtur veten ballistë në nivel individual.

Komunistët serbë në Kosovë, të udhëhequr e të mbështetur nga z. Rankoviç, ekzekutuan babanë dhe gjyshin e të ndjerit Rugova, duke i etiketuar ata si ballistë (siç u permend në diskutimin në Alb-Shkenca) thjesht për të mbuluar motivet anti-shqiptare të krimit të tyre.  Ata shfrytëzuan efektivitetin e kësaj etikete, për të cilën komunistët e Shqipërisë kishin investuar shumë energji propagandistike.  Natyrisht, e vërteta historike nuk përbënte prioriotet për serbët anti-shqiptarë. Ndërkohë, Partia Komuniste në Shqipëri e trajtonte të vërtetën si një lojë me pasqyra. 

Ata që rinxorrën lajmin e gënjeshtërt rreth paraardhësve të Rugovës, kuptohet që dëshironin të cënonin e denigronin imazhin dhe trashëgiminë e fuqishme që Ibrahim Rugova ynë i la kombit shqiptar.

4 dhjetor 2013

Related posts