Sezoni i Tomorit në skaner

Sezoni i Tomorit në skaner

Tomori ka mbyllur kështu sezonin e vet në Kategorinë e Dytë që duhet cilësuar i suksesshëm. Në fund beratasit ia dolën ta mbyllnin në vendin e parë të grupit B dhe të fitoj edhe Kupën e kësaj kategorie.

Sezoni i Tomorit nisi me peshën e sezonit të dështuar vitin e shkuar që e dërgoj Tomorin në Kategorinë e Dytë dhe një pjesë të fundit të sezonit vërtetë ‘’të errët’’ ku mes rezultateve negative dallon ajo 10-0 përballë Bylis.

Tomori është një skuadër me 100% aksione të Bashkisë Berat ndaj zgjedhjet vendore sollën ndryshime jo vetëm në drejtimin e Bashkisë por edhe të klubit. Pasi kryebashkiaku i ri i Beratit, Petrit Sinaj u bë edhe presidenti i ri i Tomorit. Ai solli ndryshime edhe në stafin e tij, ku dy ish futbollist të sezonit të shkuar, si Gersi Arbri dhe Alban Kuçi morën pozicione drejtuese në klub. Ndërsa në stolin e beratasve u vendos tekniku kavajas Bledar Sinella.

Shumë prej futbollistëve të sezonit të shkuar dhe kryesisht ata beratas vazhduan të qëndronin në Berat për të ndihmuar në ringritjen e Tomorit në Kategorinë e Parë. Tomori u vendos në grupin B bashkë me dy skuadrat e tjera të Prefekturës, Naftëtarin dhe Skraparin. Por në këtë grup kishte edhe skuadra të tjera, si: Tepelena, Memaliaj, Delvina, Orikumi etj., të cilat pritej të rivalizonin për ringritjen në të Parën.

 

Sezoni nisi me një fitore në Berat ndaj Delvinës dhe në 11 sfidat e fazës së parë Tomori arriti 8 fitore dhe 3 humbje. Këto rezultate e vendosën Tomorin në vendin e dytë në këtë grup me tre pikë më pak se Naftëtari. Të tre humbjet u pësuan në transfertë nga Domosdova, Orikumi dhe ajo që djeg më tepër kundra Naftëtarit që solli edhe dënime për tre futbollist të skuadrës.

Ndërkohë faza e dytë nisi me një riformatim të skuadrës por rezultatet folën në favor të Tomorit që bëri një fazë të dytë rekordesh. Tomori ia doli të realizoj 11 fitore në 11 ndeshje ku në 4 sfidat e fundit arriti një golavarazh 15-0 me tre fitore me rezultat të njëjtë 4-0 dhe e gjithë kjo nisi ndaj Naftëtarit në Berat.

Tomori ishte skuadra më e mir e kësaj Kategorie me 57 pikë të grumbulluar dhe një golavarazh shumë favorizues 57-8 edhe pse në fund kampionatin e mbylli me pikë të barabarta me rivalin e saj më të madh, Naftëtari. Po ashtu 12 fitoret radhazi dhe 11 fitore në 11 ndeshjet në shtëpi ishte një tjetër aspekt pozitiv. Për të të konfirmuar që ishte skuadra më e mir e kategorisë Tomori ia doli të fitoj edhe finalen e Kategorisë së Dytë ndaj skuadrës fituese të grupit A, Shënkollit.

Koha e rregullt përfundoj në barazim 1-1 ku fillimisht ishte Arapi që shënoj për Shënkollin dhe Kanapari që barazon në fundin e sfidës. Por në shtesë Tomori fiton një 11-metërsh që kthehet në gol nga kapiteni Ervis Çaço duke sjellë dy kupa në Berat brenda një sezoni.

Related posts