Shpërthen Klodian Arbri: Shkoj në xhami, më dënoi një gjyqtar që pi vetëm raki

Shpërthen Klodian Arbri: Shkoj në xhami, më dënoi një gjyqtar që pi vetëm raki

Nuk është hera e parë që në futbollin e të rinjve ka akuza për një korrupsion të mundshëm. Trajneri i Tomorit U-19, Klodian Arbri, ka reaguar ashpër pas vendimit që është dhënë nga Komisioni i Disiplinës, që e dënon atë me pesë ndeshje pezullim, në një kohë që nuk shpëtojnë as disa lojtarë.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Arbri nuk i ka kursyer akuzat ndaj arbitrit të sfidës së kaluar me Bylisin, Haxhi Rakipi, teksa e ka quajtur atë si një person që merret me ryshfete dhe një “llogaçe” rrugësh që nxitet nga të tjerët.

“Jam shumë i revoltuar në lidhje me vendimet e Komisionit të Disiplinës, pasi kanë dënime ekstreme të bazuara në fakte të pavërteta që u janë përcjellë nga një arbitër rrugësh, ashtu siç është Haxhi Rakipi.

Ky gjyqtar është duke u bërë pjesë e ryshfeteve në kampionatin e fëmijëve, duke u shërbyer ekipeve të caktuara dhe po prish garën. Për këtë gjë nuk jam duke u ankuar vetëm unë, pasi një gjë të tillë e ka pohuar edhe skuadra e Lushnjës disa muaj më parë.

Ndaj i bëj thirrje FSHF-së që t’i zhdukin përgjithmonë njerëzit e tillë nga sporti. Ky ‘palaço’ nuk mjaftohet vetëm nga këto veprime, por ka sy e surrat të ofendojë me fjalë banale lojtarët gjatë takimit të zhvilluar. Rasti më absurd në relacionin e FSHF-së është se ka shkruajtur se Klodian Arbri dhe Iken Droboniku kanë qenë të pirë gjatë sfidës së zhvilluar me Bylisin.

Por ky ordiner gjatë të gjithë ditës pi raki te ‘Pilo Lala’. Unë nuk jam dënuar gjatë të gjithë karrierës time si futbollist dhe jo tani që një njeri i pacipë kërkon të prishë imazhin tim duke u nxitur nga disa paraardhësit e mi. A e di Rakipi që unë jam një besimtar i fesë myslimane dhe shkoj për ditë për t’u falur në xhami?!

Ky jam unë dhe jo një person si mendon që vij ‘i dehur’ në fushën e lojës. E di shumë mirë kush e nxiti, apo mos ndoshta donte të ndihmonte ekipin e Butrintit?! Tomori është një skuadër me tradita në futbollin tonë, ndaj tregoni respekt karshi këtij klubi duke mos e ndëshkuar padrejtësisht”, thotë Arbri në reagimin e tij.

 

Related posts