Sinaj zbulon projektin e stadiumit dhe premton Superioren për Tomorin

Sinaj zbulon projektin e stadiumit dhe premton Superioren për Tomorin

Kryebashkiaku president i Tomorit, Petrit Sinaj, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka zbuluar projektin e rikonstruksionit të stadiumit, si dhe ka shpalosur objektivin për t’i bërë beratasit pjesë të Superiores, duke e konsideruar këtë edhe si një sfidë personale.

 

Kur është mbyllur faza e dytë e kampionatit, si do ta vlerësonit ecurinë e Tomorit?

Edhe pse na ka gjetur të renditur në vendin e 4-t, doja të thosha që nuk është aspak një situatë e kënaqshme. Megjithatë, janë një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në këto rezultate. Në këtë fazë të tretë, pres që këto probleme të jenë sheshuar edhe të ketë rezultate pozitive.

Opinioni sportiv beratas ka vënë shpesh në dyshim të ardhmen e trajnerit Stojku. Keni një përgjigje në lidhje me këtë çështje?

Opinioni beratas gjithmonë ka pasur dyshime dhe në trajnerët e mëparshëm, ashtu si ka edhe tani, në disa raste duke i penguar edhe punën apo duke ushtruar trysni. Por mendoj se trajneri Stojku ka punuar dhe ka arritur pikësynimin e parë, atë të qëndrimit në pesë ekipet më të mira.

Cili është objektivi i Tomorit në këtë sezon?

E kam shprehur edhe më parë se do ta rendis Tomorin përkrah më të mirëve të Shqipërisë. Fakt ky që lidhet edhe me punën e arritur deri tani, duke nisur nga marrja e skuadrës në Kategorinë e Dytë dhe kalimi i asaj historie të hidhur ku ishte katandisur Tomori. Theksoj se ka akoma punë për të bërë dhe se do t’ia arrijmë patjetër qëllimit. Ekipi ka mbështetjen time maksimale për të qenë sa më dinjitoz dhe kompetitiv në çdo ndeshje dhe të marrë rezultate sa më të larta. Synimi është vetëm një, ai drejt Superiores.

Kur pritet të mbarojë projekti për fushën e re të stadiumit dhe çfarë parashikon rikonstruksioni total i impiantit?

Çdo gjë është transparente dhe prokurimi publik për fushën është hedhur në tenderim elektronik. Priten vetëm afatet ligjore të mbarimit të këtij tenderimi edhe shumë shpejt do të fillojë rehabilitimi i fushës së futbollit në standardet më të mira të vendosura nga UEFA. Ndërhyrje tjetër besoj brenda këtij viti do të jetë edhe rregullimi i fasadës së jashtme.

Vitin tjetër mendojmë restaurimin e komplet stadiumit, dritat për të zhvilluar aktivitete futbollistike dhe në mbrëmje, ambientet e brendshme, hoteleria, si dhe plotësimi i pjesëve ballore me stole, si dhe shumë gjëra të tjera. Kemi menduar këtë investim për vitin tjetër pasi përkon edhe me 95-vjetorin e krijimit të ekipit të futbollit “F.k Tomori 1923” Sh.a.

Related posts