Sokol Teme Sejko, djaloshi që sfidoi vdekjen

Sokol Teme Sejko, djaloshi që sfidoi vdekjen

45-vjetori i pushkatimit/ Historia tragjike e një djaloshi 24 vjeçar dhe familjes së tij nga Çamëria, nën regjimin e Enver Hoxhës….

Nga Enver KUSHI –

45 vite më parë, më 6 mars 1974, në moshën 24 vjeç, u pushkatua Sokol Teme Sejko.  Është një ngjarje e rëndë, tepër tragjike dhe me akuza nga më absurdet për të.

Ai ishte vetëm 10 vjeç, kur i arrestuan babain dhe xhaxhain Taho  Sejko, 11 vjeç kur pushkatuan dhe zhdukën  varrin  e Temes, 12 vjeç, kur pa gjyq dënohet dhe pushkatohet pa u marrë vesh xhaxhai Taho dhe 13 vjeç,kur vetëvritet për motive politike, xhaxhai  tjetër Sulo Sejko. Përfytyroni një djalë të moshës së tij, ende fëmijë, ashtu si dhe i vëllai Mondi dhe në Shkodër djali i xhaxhait të Sokolit, Hektori, të rritej me imazhet e vdekjes dhe qenies pa varr të prindit. Ëndrrat e Sokolit fëmijë, të Sokolit adoleshent dhe të Sokolit të ri, ishin bërë copë e thërrime. E megjithatë Sokol  Teme Sejko ruajti krenarinë dhe dinjitetin  e të parëve të tij, siç ishin Sejkatët e Filatit dhe Çamërisë. Sokoli, Mondi, Hektori në tollovinë dhe egërsinë e viteve të diktaturës komuniste, nuk e ulën kokën. Sokol Teme Sejko, mendoj  se ruajti deri në çastet e fundit të jetës së tij të shkurtër tri gjëra: krenarinë për prejardhjen e tij, dinjitetin dhe pastërtinë shpirtërore. Pas 45 viteve, në këto momente përkujtimi, unë them: “Lum  ai djalë! Lum ai, që e mbylli jetën në kulmin e rinisë, me dinjitet! Faleminderit Sokol Teme Sejko, që sot  i rikthehemi jetës dhe kujtimit tënd dhe na bën krenar”!

Sokol Sejko gjatë kohës së pushkatimit.

     Momente të tilla, si ky i sotmi kanë me vete edhe emocionin, edhe nderimin, edhe reflektimin. Them reflektimin, sepse ne shqiptarët e veçmas ne që vimë nga një krahinë, ku dhimbjet dhe tragjeditë, më shumë se kudo, i kemi mbajtur si ca pesha të rënda mbi supe nga brezi në brez, kemi nevojë t’u rikthehemi dhimbjeve tona të mëdha, por edhe dinjitetit dhe mënyrës sesi i kemi përballuar ato.

     E tillë është edhe tragjedia e familjes Sejko, por edhe Demi, Plaku, etj, etj.

     Po të lexosh procesverbalin  “Mbi ekzekutimin  e Sokol Teme Sejkos”, që unë do ta quaja kronikë vrastare, shkruar me një gjakftohtësi kriminale, ndjen çuditërisht përveç krismave, edhe zërin e fortë, shumë të fortë , deri në ulërimë të Sokolit. Procesverbali nis  me vendin ku është mbajtur dhe ata që kanë kryer krimin!” Në qytetin Berat, sot në orën 24-oo të datës 6 mars 1974, unë Orhan  Frashëri, Prokuror i rrethit Berat, në prezencë të z/ kryetarit të Degës së P. Brendshme Berat Refat Nenaj dhe të mjekut ligjor Andon Koka…. etj, etj.

Pastaj vinë fjalët: “Për këtë, ju pyes juve Sokol Teme Sejko se cila është fjala juaj e fundit. I dënuari me vdekje Sokol Teme Sejko, tha:

     “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. “ Dhe i dënuari Sokol Teme Sejko, duke ju drejtuar skuadrës së ekzekutimit tha: “Afrohuni dhe pak dhe shtini”.

     Kur e lexon këtë procesverbal vrastar, befas të duket që ky djalosh 24 vjeçar, do të ringjallet për të rrëfyer atë çka ndodhi në orën 24 oo- të datës 6 mars 1974. Dhe ne do të dëgjojmë zërin bubullimë të tij:” Afrohuni dhe pak dhe shtini”.

     Ku e kishte burimin kjo forcë  dhe trimëri e rrallë? Mendoj se, ashtu siç nënvizova më lart, karakteri i Sokolit u formua në ca rrethana të veçanta dhimbjeje, që e burrëruan para kohe duke ja shtuar krenarinë, dinjitetin, forcën, trimërinë.

     Jo vetëm kaq. Do të shtoja se në formimin  e tij dhe karakterin burrëror, ka luajtur rol origjina dhe veçmas traditat e derës së madhe Sejko. Ata që e njohin historinë e Çamëërisë e dinë se gjyshi i Sokolit, Mehmet Sejko, i lindur në Filat më 1876, në një familje me tradita patrotike, më 20 shtator 1908 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria, ku sekretar është një emër tjetër e njohur Musa Demi. Në vitin 1912- 13 Mehmet Sejko, bashkë me qindra çamë të Filatit, Gumenicës, Margëlleçit, Paramithisë, mbrojtën  me armë në dorë Çamërinë nga forcat pushtuese të ushtrisë greke. Emri i Mehmet Sejkos, është përkrah emrave të tjerë të patriotëve çamë si Aqif Plaku, Rexho Plaku, Alush Taka, Hasan Pilafi etj, në një memorandum që  i dërgojnë në vitin 1919 Konferencës së Paqes në Paris.

     Gjyshja e Sokolit, Shyqyrania, ishte e heshtur, shumë kurajoze dhe me një stoicizëm, që është karakteristikë e shumë nënave dhe gjysheve çame.

     Kjo grua përballoi dhimbjen dhe helmin  për humbjen tragjike të tre djemve të saj: Tahos, Temes dhe Sulos. Dhe siç më ka rrëfyer Hektori, në heshtjen dhe stoicizmin e saj, u dha kurajo nipërve e mbesave, derisa u shua në vitin 1964.

     Ajo u varros në Shkodër dhe prap  siç më ka thënë Hektori,  në varrimin e saj ishin vetëm 4 persona: I nipi, pra Hektori, Hafiz Sabri Koçi, Kujtim Demi dhe Ramiz Draçini.

     Babai i Sokolit është Teme Sejko, komandanti i shquar i Flotës Luftarake Detare të Shqipëris, admiralit të njohur, dhe një nga më të talentuarit të ushtarakëve shqiptarë të kohës. Teme Sejko ka lindur më 25 gusht 1922. Në vitet 1930- 1935 është nxënës në Sarandë, në konviktin  Çamëria” për të vazhduar më pas studimet në Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë. Ai u radhit në rreshtat e antifashistëve shqiptarë që në moshën 20 vjeç, fillimisht në Konispol e më pas në Brigadën e Parë Sulmuese. Ai ka mbajtur dekorata të larta, si Medaljen e Kujtimit, Trimërisë dhe  Çlirimit, Urdhërat e Trimërisë, Flamurit dhe Shërbimeve Ushtarake. Teme Sejko studioj në 2 akademi ushtarake: “ Frunze” dhe “Voroshillov” në Moskë, me rezultate të shkëlqyera. Ai zotëronte italishten, rusishten dhe pjesërisht greqishten dhe frëngjishten. Fundi i tij është tragjik: u pushkatua, pasi u torturua barbarisht nga ata, me të cilët kishte qenë dikur shok armësh dhe idealesh.

     Nëna e Sokolit, Shpresa, përballoi  mes dhimbjes, lotëve, por edhe stoicizmit , pushkatimin e të shoqit. Përballoi edhe internimin, duke iu përkushtuar dy djemve të saj: Rajmondit dhe Sokolit. Nuk përballoi dot pushkatimin e Sokolit, gati një vit pas tragjedisë së të birit, u vetvra. Para vetvrasjes ka shkruar disa letra kundër regjimit tiranik të Enver Hoxhës. Në trupin e pajetë të saj, gjetën fotografinë e të birit, Sokolit.

     Dhe meqë jemi në familjen e Sokol Teme Sejkos, i vëllai i tij Rajmondi, i mbetur krejt vetëm, u përball  më 27 maj 1975, pra gati një vit e ca muaj pas pushkatimit të Sokolit dhe as 3 muaj pas vetvrasjes së nënës,  me vendimin e Gjykatës së rrethit Berat me akuzën “Për agjitacion e Propagandë” dhe u dënua me 8 vjet heqje lirie në Spaç. U lirua me 18 tetor 1982 dhe me vendim të  Komitetit të Dëbim Internimeve, në vitet 1983- 1990, u internua në fshatrat e Beratit.

Taho Sejko, xhaxhai i madh i Sokolit, një nga burrat dhe personalitetet e rralla të Çamërisë, lindi më 14 shkurt të vitit 1912. Mësimet e para i mori në Filat, për t’i vazhduar në Liceun e Korçës në vitet 1932- 1933 dhe më pas në Universitetin Francez të Athinës, në degën Shkenca Ekonomike- Politike. Qeveria shqiptare e kohës, nëpërmjet ndërhyrjes së Safet Bej Dinos, i akordoi bursë Tahos, gjatë viteve që studioi në Athinë. Ai zotëronte, pra i fliste dhe i shkruante italishten, greqishten e re dhe të vjetër, frëngjishten. Me 11 korrik të vitit 1939, caktohet kryetar i komunës së Pandelejmonit  të nënprefekturës së Çamërisë. Taho Sejko është nga kuadrot e parë të çetës “Çamëria”. Në këtë pozicion ai asnjëherë dhe me askënd nuk bëri kompromise në dëm të çështjes çame. Për të Çamëria ishte mbi gjithçka. Prandaj nuk është e rastit, që në një informacion, që i dërgohet qarkorit të Gjirokastrës thuhet se  “Hakiu (Rushiti) dhe Tahua duan më parë të jenë çamër sesa komunistë”. Më 21 gusht 1948 shkarkohet si drejtor Drejtori në Komisionin e Planit të shtetit dhe më 22 qershor 1956, emri i tij përfshihet në listën e elementeve antiparti të Konferencës së Tiranës. Po atë vit e transferojnë në qytetin e Shkodrës, në parkun e Ndërmarrjes së Transportit Shtetëror. Arrestohet në të njëjtën ditë me të vëllanë, Teme Sejkon. Në hetuesi, si askush tjetër, ka mbajtur një qëndrim burrëror, duke përballuar me dinjitet akuzat që i bëhen.Kështu, më 10 gusht 1960, pyetjes së hetuesit Stavri Madhi: “A e pranoni  akuzën që të bëhet?” ai i përgjigjet : “Nuk e pranoj  akuzën, sepse nuk kam qenë kurrë agjent i asnjë zbulimi  të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata me karakter sekret dhe nuk  kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit Popullor në Shqipëri”.

     Është me interes një shënim i lënë me dorën e tij dhe që e ruan i biri, Hektori, ku Taho Sejko shkruan: “Çështja ime është gabim. Unë jam viktimë e intrigave të agjenturave të huaja, nëpërmjet shpifjeve shtazarake të njerëzve të tyre në vendin tonë. E di që kjo  letër sjell pasoja negative për mua, megjithatë e bëra”. Letra mban datën 12 maj 1961, vetëm katër ditë para fillimit të gjyqit. Taho Sejko nuk doli në gjyq. Përse? Një enigmë që e mundon  prej vitesh dhe vitesh Hektorin. Ç’fshihet pas vendimit të 24 shkurtit 1962 për dënimin me vdekje pushkatim të Taho Sejkos? Regjimi komunist nuk e mposht dot karakterin e fortë dhe burrërinë e Taho Sejkos dhe prandaj hakmarrja ndaj tij dhe familjes ka qenë e tmerrshme. Xhaxhai i vogël i Sokolit ishte Sulo Sejko, lindur më 20 nëntor 1917. Ai u shkollua në Tiranë, në kolegjin e Harri Fullcit dhe zotëronte anglishten, italishten dhe greqishten. Ka përkthyer librin “Kujtimet e një berberi”, por nuk ia kanë vënë emrin si dhe librin “Vëllezërit Çervi”.

     Edhe fundi i tij është tragjik: me 5 shkurt 1963 vetvritet për motive politike. Në Shkodër kur ndodhi gjëma e tretë në familjen Sejko, ka qenë babai i këngëtares së njohur Myfarete Laze, që i ka qëndruar pranë kësaj familje. Ai me duart e tij ka nxjerrë nga pusi, trupin  e pajetë të Sulos. Halla e Sokolit, Merushja, ishte gruaja e një emri të njohur në trevën e Çamërisë, Rexho Plaku, komandantit legjendar e të pakthyeshëm, njeriut që kuptoi shpejt intrigat dhe padrejtësitë e regjimit të ardhshëm dhe që e pagoi  me 33 vite burg, ndërsa familja e tij u internua jo pak , por 25 vite në Savër të Lushnjës.

Procesverbali i pushkatimit.

Shpirti i Sokol Teme Sejkos në këtë 45 vjetor të pushkatimit nuk është i qetë. Nuk  janë të qetë as shpirtërat e e Taho, Teme dhe Sulo Sejkos. As shpirti i Shpresa Sejkos…As të gjallët nuk janë të qetë, përderisa viktimat e familjes Sejko janë pa varr.

     Ky është Sokol Teme Sejko, djaloshi 24 vjeçar që vjen dhe rivjen, shfaqet dhe rishfaqet, në të gjitha pranverat post tragjike të marsit 1974: dinjitoz, i kulturuar, trim, kurajoz… Koha e ka fiksuar në përjetësinë e saj emrin dhe veprën e tij, si dhe familjes tragjike Sejko.

Related posts