Tomori kthehet në Berat pas 316 ditësh

Tomori kthehet në Berat pas 316 ditësh

Tashmë është zyrtare dhe në Berat më në fund mund të festojnë pasi Tomori kthehet të luaj në stadiumin e vet pas plot 316 ditësh. Zgjatjet e pafundme për shtrimin e tapetit të ri artificial të stadiumit duket se i bezdisën të gjithë në Berat duke nisur nga futbollistët, klubin dhe tifozët, të cilët ‘’qajnë’’ edhe ndonjë pikë të humbur për shkak të mos luajtjes së ndeshjeve shtëpiake në stadiumin “Tomori’’.

Vitin  e shkuar kur Bashkia Berat, e cila është edhe aksionerja kryesore e klubit, po miratonte buxhetin e ri  solli edhe projektin për rikonstruksion të stadiumit. Ky rikonstruksion do të shtrihej në vitet 2017-2018 dhe duhet të ishte gati pikërisht në nëntor të vitit të ardhshëm me rastin e 95 vjetorit të klubit Tomori.

Por ndërkohë ishte planifikuar që takimet e Tomorit do të zhvilloheshin në Berat për gjithë pjesën e mbetur të sezonit të shkuar. Por duket se shirat, bora dhe moti i ftohtë i dimrit të kaluar prishi planet pasi fusha u kthye në një ‘’moçal’’ i pamundur për tu luajtur. Kështu vetëm ndeshja e parë e vitit 2017 ajo kundra Pogradecit më 3 shkurt u luajt në Berat dhe deri tani e vetmja. Pas kësaj ndeshje të humbur në shtëpi përballë liqenorëve bëri që klubi beratas dhe FSHF të ndalonin luajtjen në këtë stadium dhe të niste projekti për tapetin e ri.

Por ndërkohë në stadium nisi puna edhe për ndryshimin e fasadës, ambienteve të brendshme e të jashtmë dhe bashkë me to edhe puna për drenazhimet dhe gatishmërinë që kishte fusha përpara vendosjes së tapetit të ri, tashmë jo më natyral. Ishte planifikuar që ky sezon të luhej në Berat por vonesat për shtrimin e tapetit, vonoj edhe inaugurimin e stadiumit të ri.

Kështu skuadra beratase të gjitha ndeshjet e deritanishme në kampionat ashtu si ato të kampionatit të shkuar i luajti në Kuçovë ndërsa ndeshjen e Kupës së Shqipërisë përballë Bylisit në Skrapar. Do të jetë pikërisht ndeshja derbi e prefekturës, ndaj Naftëtarit e para që do të luhet në shtëpi për Tomorin në këtë sezon.

Prova gjenerale u bë ditën e mërkurë kur u luajt një ndeshje e kampionatit të moshave mes Tomorit U19 dhe Lushnjes U19 fituar nga beratasit e vegjël, të drejtuar nga trajneri Iken Droboniku që udhëheqin grupin e tyre. Pas kësaj ndeshje edhe FSHF ka dhënë zyrtarizimin e ndeshjes mes Tomorit e Naftëtarit në Berat. Një ndeshje  e rëndësishme edhe për shkak të historisë dhe afërsisë mes dy ekipeve dhe kthimit të Tomorit të luaj në Berat por jo vetëm. Kjo është e para sfidë e fazës së dytë në shtëpi dhe Tomori vjen pas dy humbjeve radhazi në transfertë. Ndërkohë trajneri i ri, Gersi Arbri kërkon edhe fitoren e parë në drejtimin e Tomorit.

 

Related posts