Tomori për turp, Bylis i shënon dhjetë gola

Tomori për turp, Bylis i shënon dhjetë gola

Turpi i radhës në futbollin shqiptar vjen nga Ballshi. Bylis fiton 10-0 ndaj Tomorit, me miqtë që në sfidën e djeshme kishin në përbërje thuajse të gjithë lojtarë të rinj. Miqtë janë për turp duke toleruar dhe ballshiotët që realizojnë të qetë 10 gola, aq sa mjaftojnë për t’u ngjitur në vendin e parë duke kaluar Lushnjën për shkak të golavarazhit.

Bylis ka shënuar fiks aq gola sa i nevojiteshin për ta çuar diferencën e golave në +16, kundrejt Lushnjës që ka +15. Duket se gjithçka ishte lajmëruar prej disa ditësh, kur stafi teknik i Tomorit e kishte bërë të ditur se do të udhëtonte me lojtarët të U-19 në këtë sfidë. Beratasit dje u turpëruan në mënyrën më të shëmtuar të mundshme duke pësuar dhjetë gola.

Ndeshja

Serinë e golave e hap Mustafaraj në minutën e 13-të që shënon brenda zonës pas asistit të Hyskos. Më pas është ky i fundit që realizon dy gola brenda tri minutash, në të 25- ën dhe 28-ën. Vendësit janë të pandalshëm dhe në minutën e 34-t është Shoshi që shënon pas një goditjeje nga rreth 20 metra. Në të 38-ën, vendësit humbasin edhe një 11-metërsh me Mustafaraj që godet jashtë. Pjesa e dytë nis me Bylisin në sulm që kërkon gola të tjerë. Në të 48-ën, është sërish Hysko që përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon golin e 5- të për vendësit. Miqtë janë inekzistentë duke mos rrezikuar asnjëherë portën e Bylisit. Më pas, nga minuta e 58-të e deri në të 90-ën është Lejdi Liçaj që shënon pesë gola duke vulosur fitoren 10-0 ndaj Tomorit.

Duhet thënë se ndeshja në një moment është ndërprerë për rreth 12 minuta, pasi një prej futbollistëve miq, Elezi, pëson një shembje në brinjë duke u përplasur me shtyllën pingule të portës së tij. Ai është transportuar drejt spitalit, por sfida nuk mund të niste pa ambulancën dhe pas rikthimit të saj në stadium nis sërish ndeshja. Pas ndeshjes, trajneri i miqve Madrid Muxhaj u shpreh: “Nuk kishim objektiv për këtë ndeshje, pasi dihet që në transfertë është e vështirë të fitosh. Ne jemi të përqendruar vetëm te ndeshjet që do luajmë në shtëpi duke nisur nga ajo me Lushnjën”.

BYLIS-TOMORI 10-0
GOLAT: Mustafaraj 13′, Hysko 25′, 28′, 48′, Shoshi 34′, Liçaj 58′, 67′, 75′, 81′, 90′
BYLIS: Kaloshi (Hysi 70′), Kuçi, Shoshi, Xhafaj, Buzi, Metaj, Liçaj,
Mustafaraj, Kolgega, Muça (Gavazaj 78′), Hysko. Trajner: R.Nenaj
TOMORI: Shtrepi, Hoxha, Dervishi, Puniqi, Berberi, Tirka, Dragoti, Elezi
(Koroni 65′), Myzyni, Muxhaj, Ahmetaj.
Trajner: M.Muxhaj
KARTON I VERDHË: Berberi 24′
GJYQTARË: O.Kuka, E.Potomi, N.Bregasi
DELEGAT: D.Babamusta (Durrës)
VËZHGUES: S.Qurku

Përgatiti: RENALDO GREMI

Burimi: http://www.panorama-sport.com/2015/04/tomori-per-turp-bylis-i-shenon-dhjete-gola/#ixzz3Xvuf7HDW

Related posts