Tregimi: ‘Eshtrat e nderuara’ të Par Lagerkvist

Tregimi: ‘Eshtrat e nderuara’ të Par Lagerkvist

Mbi tregimin “Eshtrat e nderuara” nga Par Lagerkvist, shkrimtar nobelist suedez

Nga Yzedin Hima             

Tregimi “Eshtrat e nderuara” i Par Lagerkvist ka 370 fjalë dhe lexohet për 2 minuta. Për të mos lodhur lexuesin e nderuar po jap me pak fjalë subjektin e këtij tregimi të shkurtër: Dy popuj kishin bërë luftë të madhe kundër njeri-tjetrit dhe qenë mjaft krenarë për këtë fakt. Të mbijetuarit jepeshin me mish e me shpirt për të mbajtur gjallë pasionin e kujtimeve të kësaj lufte. Nga çdo anë e kufirit, ku qenë zhvilluar përleshje dhe luftëtarët e të dy palëve kishin masakruar në mënyrë të llahtarshme njeri-tjetrin, qenë ngritur përmendore të madhërishme për nder të të rënëve që qenë sakrifikuar për atdhe dhe tani preheshin në trojet respektive. Të dy popujt vinin aty për pelegrinazh , seicili pranë të rënëve të vet. Aty liderët u drejtoheshin turmave me fjalime të zjarrta për heronjtë e shenjtëruar në një vdekje të lavdishme. Ndërkaq në të dy anët e kufirit u përhap zhurma e kobshme se diçka e mënxyrshme ndodhte gjatë natës  në fushat e moçme të betejës: të vdekurit kishin dalë lugetër dhe ngriheshin netëve nga varri dhe piqeshin me shoqi-shoqnë sikur të qenë pajtuar. Këto zhurma shkaktuan  në të dy anët një zemërim të thellë. Heronjtë që nderoheshin gjer në përgjërim nga një popull i tërë shkuakëshin dhe u takuakëshin me hasmin, u pajtuakëshin me të.

Të dy kombet ngritën nje komision që të hetonte çështjen. U vunë në përgjim pas disa trungjeve të tharë pemësh dhe pritën natën. Gjithçka qënkësh e vërtetë. Nga fusha ngriheshin në mesnatë ca trajta të përzishme që kalonin kufirin. Në duar mbartnin diçka. Përgjuesit mësynë mbi ta gjithë zemërim. “Si ore, ju që u flijuat për atdhe etj…  “

Heronjtë e rënë në luftë i vështruan me habi anëtarët e komisionit: Çfarë thoni, ore?! Ne urrehemi për vdekje më shumë se kurrë ndonjëherë! Por, ne thjesht po shkëmbejmë eshtrat tona. Qe bërë rrëmujë e hatashme këtu…

Leximi i parë: “Është një tregim për atdhedashurinë, shenjtërinë e kufijve. Një popull që humbet vigjilencën bie në robëri.

Leximi i dytë : “Është një tekst i mrekullueshëm me kuptim të fuqishëm simbolik E kaluara barbare e njerëzimit kap prej duarsh, prej mendjesh njerëzit duke i penguar të ecin përpara, duke ua helmuar me urrejtje të sotmen. Një popull që përtyp si çamçakiz të kaluarën është i destinuar të mos jetojë të sotmen dhe vë në dyshim të ardhmen. Bota është e mbushur me kufij ndarës. Kufijtë janë shenja dhe konvencione të një bote të ndarë nga paragjykimet, dallimet kulturore, fetare , ekonomike. Sot ata janë pengesë e madhe për procesin e integrimit. Parë në këtë kënd kufiri duhet të jetë vija e bashkimit të dy kombeve, të dy popujve. Mitet, heronjtë, kujtimet pasionante për të kaluarën shpesh e pengojnë procesin e integrimit të sotëm, ose “Ky kufi ekziston kudo në Europë dhe në botë. Mund të jetë kufiri në veri të Shqipërisë, në lindje të saj, mund të jetë kufiri në lindje të Greqisë, kufiri në lindje të Polonisë etj. Këta kufij ende mbartin një ngarkesë të tillë, ndonëse flitet për integrime e Europë të Bashkuar.”       Falë shoqërimit të ideve të shfaqet një kufi i tillë i përgjakur midis Francës dhe Gjermanisë, ku janë zhvilluar përleshje të përgjakshme për një krahinë që herë i kalonte njërës palë e herë palës tjetër, kufi që nuk ekziston më falë emancipimi të të dy palëve dhe futjes në BE, duke flakur tutje urrejtjen, pasionet për të kaluarën e hidhur.

Pastaj mediton për historinë e kombeve dhe mësimet që duhen nxjerrë nga historia. Lindin pyetje mjaft interesante si: historia shkruhet siç ka ndodhur apo rregullohet rrugës? Historia e kombit tonë a është shkruar?  A është ajo reale, e pandikuar nga qëndrime ideologjke dhe të njëanshme? Heronjtë janë apo krijohen? Adhurimi për heronjtë e lindur nga masakrat midis popujve e pengon integrimin e sotëm? Nesër cilët do të jenë heronjtë e Europës së Bashkuar? Pse nuk gjenden në parqe e lulishtet tona heronjtë e mendimit të këtij kombi, por vetëm njerëz me revolver, me pushkë, mbi tank etj?!

A ka integrim të historisë nesër në Europën e Bashkuar? Popujt që krenohen me luftrat , përleshjet, masakrat, mitet, heronjtë, që bëjnë pelegrinazh në vendet ku janë zhvilluar beteja të përgjakshme, që mbajnë fjalime duke himnizuar të kaluarën, duke nxitur urrejtjen për tjetrin, në çilën pjesë të Europës spikasin?

Të gjithë bien dakord se kjo racë njerëzish takohet me shumicë në Gadishullin e Ballkanit. Rrjedhimisht arrihet në përfundimin se pikërisht ky mentalitet e ka penguar zhvillimin në këtë rajon, e ka vonuar integrimin në pjesën më të madhe të tij.

Natyrisht, vetëm vepra të mëdha si tregimi i shkurtër prej 19 rreshtash i Par Lagerkvist mund të krijojnë  një polisemi të tillë kuptimesh dhe idesh.   Tregimi ka një kumbim të fortë simbolik. Një nga simbolet më të spikatur është kufiri si simbol i kufizimit, si simbol i ndarjes, si simbol i diferencave, simbol i mendjeve të kufizuara, si simbol i shkretimit fizik e shpirtëror. Në tekst në të dy anët e kufirit flitet për shkreti, trungje të tharë dhe fantazma të përzishme që ngrihen netëve.Një tjetër simbol është përmendorja e ngritur në nderim të të rënëve. Ajo është simbol i hipokrizisë (kujtoni thënien e fantazmave se dikur i kishin varrosur shpejt e shpejt , madje duke u ngatërruar edhe gjymtyrët.), simboli i mashtrimit të turmave, simbol i ndalesës, pas saj nis një territor i  ndaluar.

Titulli i tregimit është Eshtrat e nderuara. Nëpërmjet një sinekdote (eshtrat-pjesa që emërton të tërën,) dhe epitetit e nderuara, autori i lë në dorë lexuesit dy figura si burim drite për të parë  më tej dhe më  thellë. Nderohen eshtrat, ajo çka ka mbetur nga kurmi, sytë, duart, zëri, fjalët e të rënit. Nderimi është tejet kolektiv, pa identitet të përcaktuar. Nderimi i tyre është nderim hipokrit (kujtoni varrimin e tyre shpejt e shpejt, duke ua ngatërruar pjesët e trupit me ato të armikut të tyre ) Eshtrat e të rënëve nderohen për të ruajtuar pushtetin të gjallët, eshtrat nderohen për të konservuar urrejtjen për fqinjin, për të çimentuar kufirin, që do të thotë për të çimentuar ndarjen, izolimin. Të rënët në këtë rast poshtërohen duke u shfrytëzuar deri në eshtër, për t’i hedhur hi syve turmave. Pas idhujve, dihet, fshihet diktatura. Ato eshtra të nderuara,në fakt, janë një pengesë e madhe për miqësinë midis dy popujve, një pengesë për lëvizjen e lirë në të dy anët e kufirit, një pengesë për lëvizjen e lirë të njerëzve , të ideve, të mallrave. Ato eshtra të nderuara, ndonëse janë të përziera me eshtrat e armikut respektiv, përdoren për të forcuar tiraninë e popujve respektivë, përdoren për të mpirë kujtesën e turmave në të dy anët e kufirit. A mund të jenë pjesë e Europës së Bashkuar,  bie fjala, këta dy popuj që urrehen për vdekje? A mund të harrohet ky kufi i përgjakur, ku urrejtjen nuk e ka tretur as vdekja , nuk e ka tretur as varri? A është gati për t’u integruar në BE një territor i tillë?

Vetëm një mjeshtër i madh si Par Lagerkvist me një tekst letrar kaq të shkurtër mund të shkatojë turbulenca të mëdha mendore e shpirtërore te lexuesi.

Related posts