UNIKE/ Njihuni me dy qytete binjake: Amasya në Turqi dhe Berati në Shqipëri

UNIKE/ Njihuni me dy qytete binjake: Amasya në Turqi dhe Berati në Shqipëri

Nga Brunilda Basha*

Është vërtet mbresëlënëse se si historia mund të na befasojë në çdo kohë. Ndërkohë që shkencëtarët po punojnë për të gjetur nëse vërtet të gjithë njerëzit kanë një person binjak diku në botë, dy qytete duket se e kanë gjetur binjakun e tyre!

Po, qytetet “Kardes/vëllezër”, Amasya dhe Berati kanë shumë më tepër të përbashkëta se çdo person do të mund të mendonte ndonjëherë. Të vendosur në dy vende të ndryshme, në dy kontinente të ndryshme, (njëri në Azi dhe tjetri në Evropën juglindore), 827 milje larg, duke ndarë së bashku “trashëgiminë kulturore botërore” aty ku historia, natyra dhe kultura janë ngulitur dhe kanë formuar një mozaik.

Të dy qytetet datojnë që në kohët e lashta, të rrethuara nga shkëmbinjtë e lartë ku depërton lumi i gjallë mes tyre. Ata dëshmojnë mijëra vjet luftë, qytetërime, perandori botërore që flasin nëpër rrënoja, një tunel kohe që udhëton nëpër histori.

Në vitin 2017, të dy qytetet kanë bërë një marrëveshje “binjakëzimi” të nënshkruar nga kryetarët e të dy bashkive përkatëse. Marrëveshja parashikon fusha të ndryshme të bashkëpunimit, duke përfshirë ekonominë, kulturën, turizmin, arsimin, shërbimet sociale, ndarjen e përvojave.

Qytetet “kardes” ndajnë shumë ngjashmëri në kuptimin e vlerave arkitektonike dhe historike duke u takuar kështu në kronologjinë e historisë, folkloret, shtrirjen urbane, si dhe në gjuhën e arkitekturës, veçanërisht në shtëpitë prej druri.

Amasya i mirënjohur me emrin “qyteti i princave’ është një nga vendbanimet më të vjetra të Anadollit. Studimet arkeologjike tregojnë se historia e qytetit shkon prapa 7500 ose 5500 vjet para Krishtit. Gjatë gjithë kohës, Amasya ka qenë shtëpi e një numri të madh civilizimesh që janë vendosur para turqve, si Hitejtë, Frigjianët, Kimmerianët, Med-Persët dhe Pontusët. U morr nga romakët dhe më vonë nga bizantinët, duke shërbyer si një qendër e rëndësishme ushtarake. Turqit selxhuk u zhvendosën në shekujt e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë, fillimisht duke zënë bregun jugor të lumit. Në 1386 ajo u mor nga Sulltani Bejazidi dhe u përfshi në Perandorinë Osmane.

Nga ana tjetër jeta e Beratit (qyteti i njëmijë dritareve” nisi si një vendbanim ilir në shekullin e 6-të B.C. Më vonë, në shekullin e 3-të, B.C., ajo u mor nën kontrollin romak. Gjatë mesjetës, Berati ishte në gjendje të qëndronte relativisht i padëmtuar për shkak të mbrojtjes natyrore dhe njerëzore. Muret e qytetit u ndërtuan gjatë periudhës mesjetare. Nga shek. 9-të deri në shekullin e 11-të, Berati u pushtua dy herë nga bullgarët, por do të merrej sërish nga Perandoria Bizantine Romake dhe kontrollohej nga familja Muzaka. Turqit do të merrnin kontrollin e Beratit në vitin 1417. Në shekullin e 15-të deri në vitin 1912, Berat lulëzoi nën kontrollin osman, u ndërtuan shumë xhami dhe lagje banuese, duke zgjeruar kufijtë e qytetit drejt lumit dhe duke krijuar një zonë në qendër të qytetit.

Për të dy vendet, si Turqinë ashtu dhe Shqipërinë tregimet dhe legjendat zenë një vend të rëndësishëm në folklorin e tyre dhe trashëgohen nga një brez në tjetrin. Amasya dhe Berati kanë një pikë tjetër takimi me njëri-tjetrin. Të dy qytetet flasin për një dashuri për një vajzë.

Për Amasyan, mali Ferhat e ka marrë emrin prej heroit të legjendës Farhadi, i cili dashuronte princeshën Shirin. Për të fituar pëlqimin e të atit të saj ai gërmoi nëpër mal që të sillte ujin pranveror në pallatin e tij. Gjatë gërmimit i dërguan lajmin e rremë se princesha e tij kishte vdekur dhe nga pikëllimi u hodh mbi shkëmbinj. Princesha e tij e dashur vdiq gjithashtu në një kohë të shkurtër. Kjo histori shfaqet në një shfaqje nga Nazim Hikmeti, një roman nga Talip Apaydın dhe një opera nga Arif Melikov.

Nga ana tjetër, sipas legjendës shqiptare për Beratin, fabula flet për dy vëllezër të bukur dhe të guximshëm, Tomorri dhe Shpiragu. Ata luftuan për një grua të re dhe vranë njëri-tjetrin. Tomori nxori shpatën dhe preu Shpiragun në copa. Gjatë betejës së tyre, Shpiragu hodhi gurë mbi trupin e Tomorrit. Kështu, trupi i Tomorrit mbeti plot vrima dhe trupi i Shpiragut  u copëtua. Trupat e tyre të rënë u bënë malet Tomorr dhe Shpirag. Kur Osumia dëgjoi për tragjedinë dhe vdekjen e dy vëllezërve, filloi të qante pafund dhe lotët e saj formuan lumin Osumi, i cili ndodhet midis maleve Tomorr dhe Shpirag.

Sa i përket zhivillimit demografik dhe ekonomiko-social, ndonëse jo në shkallë të njëjtë shtrirje sipërfaqeje, sërish ata kanë ngjashmëri në zgjerimin e popullsitë, në ndarjen e strukturës demografike. Në përshkrimin e E.Çelebi në shek. XVII Amasya kishte rreth 5000 shtepi ndërsa berate rreth 1000. Ishin të dy qytete të cilat kishin mjaft të zhvilluar bujqësinë, me prodhimin e frutave e vreshtave në Amasya dhe orizi me shalqirin në Berat. Njëkohësisht ishin të njohur dhe për zhvillimin e prodhimeve zejtare dhe artizanale ku kryesisht udhëhiqeshin nga familjet muslimane. Pozicioni strategjik i të dy vendeve, Amasya në rrugën kryesore midis Stambollit dhe Tebrizit  si dhe Berati një qendër e rëndësishme ndër-rajonale u jepte këtyre qyteteve një rëndësi të madhe në perandori.

Në lidhje me vlerat urbane dhe arkitekturore, struktura e një qyteti osman përbëhej nga shtëpitë prej druri, një xhami me kube, një rregull dhe rend i rrugëve të qytetit duke respektuar terrenin, ndarja e zonës tregtare dhe residenciale, dhe zgjerimi i qytetit sipas kushteve natyrore. Osmanët nuk shkatërruan asgjë nga perandoritë e mëparshme. Për më tepër, vazhduan zhvillimin e qytetit duke respektuar vlerat dhe principet e mëparshme. Ndaj nëse i referohemi këtyre dy qyteteve, pasi osmanët morrën qytetet ata vazhduan zgjerimin e tyre përtej mureve të kalasë. Paralelisht me rritjen e demografisë së tyre rriteshin dhe aktivitetet ndërtimore. Interesant është vendodhja e qyteteve të cilat ndahen ne mes nga lumi. Kjo e ndan zhvillimin urban në dy pjesë, duke krijuar për të dy qytetet një promenadë përpara lumit. Të dy pjesët lidhen nëpërmjet urave tipike osmane. Në të dy qytetet kemi të pranishme struktura të ngjashme, si kështjella, xhamia, shkolla, teqe, lagjet rezidenciale, ura, tregjet(të cilat në Berat nuk egzistojnë më) si dhe kullat e sahatit. Ajo që i dallon qytetet në shtrirjen urbane janë dy aspekte: Amasya kishte një shtrirje më tepër linerare dhe kishte zhvilluar ndërtimin e banesave në buzë të lumit, “Waterfront Houses”, ndërkohë Berati kishte një ndërtim më organik dhe banesat ishin në distancë më të largët nga lumi.  Zhvillimi i banesave ndiqte një hierarki të bazuar në pozicionin e pronarit të shtëpisë. Ngjashmëritë midis residencave të Amasyas dhe Beratit (ashtu si cdo shtëpi Anadolli apo ballkanike) gjenden në strukturën arkitektonike, organizimin hapësinor, stilin e fasadës, mobiljet dhe elementët dekorativë, si dhe terminologjinë e njëjtë për elementet e brendshme dhe konstruktive.

Historia e këtyre dy qyteteve na jep informacion të vazhdueshëm mbi të kaluarën e tyre të mëparshme që nga kohët e lashta deri në ditët tona si dhe na dëshmon sot e kësaj dite ngjashmëritë të përftuara si nga vetë natyra e qyteteve po ashtu dhe trashëgimia arkitekturore e periudhës otomane. /tesheshi.com/

Related posts