Universiteti i Mjekësisë, ja tarifat dhe kuotat e studimit

Universiteti i Mjekësisë, ja tarifat dhe kuotat e studimit

Universiteti i Mjekësisë Tiranë ka publikuar kuotat dhe tarifat e studimit për vitin e ri akademik 2016-2017. Po ashtu, UMT-ja ka bërë publik edhe ndryshimin e vendimit të senatit, në të cilin përcaktohen disa kritere të reja për pranimet në Universitetin e Mjekësisë, ku veç kritereve të mëparshme janë shtuar edhe koeficientët e shkollave.

Këtë vit, në Universitetin e Mjekësisë Tiranë do të pranohen më pak studentë, pasi në total janë 995 kuota pranimi për vitin akademik 2016-2017, ku 888 kuota janë për kandidatët brenda territorit, ndërsa 107 kuota janë për kandidatët jashtë trojeve. Sa u përket tarifave të studimit, ato nuk kanë pësuar rritje, por janë në nivelin e një viti më parë. Për studimet e ciklit të parë tarifat variojnë nga 35 mijë lekë deri në 45 mijë lekë në vit. Të pandryshuara në këtë universitet janë edhe tarifat për një program të dytë studimi, të cilat për të gjitha programet është e njëjtë, 233.916 lekë në vit.

Kuotat & tarifat
Universiteti i Mjekësisë do të ketë në total 995 kuota pranimi, ku vetëm 888 do të jenë për maturantët brenda territorit. Në degën Mjekësi e Përgjithshme janë 230 kuota, ndërsa tarifa e studimit është 45 mijë lekë në vit. Farmacia ka 90 kuota, Stomatologjia ka 55 kuota për brenda vendit, ndërsa tarifa edhe për këto programe studimi është 45 mijë lekë. Infermieria e Përgjithshme ka 274 kuota, ndërsa tarifa, ashtu si vitin e shkuar vijon të jetë 40 mijë lekë. Ndërsa programet e tjera të fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike tarifën do ta kenë 35 mijë lekë në vit, ndërsa kuotat për çdo program studimi i keni të detajuara në tabelën bashkëngjitur shkrimit.

Kriteret
Sipas vendimit të ri të Senatit Akademik të UMT-së, kriteret e pranimit të studentëve në ciklin e parë (Bachelor) dhe në ciklin e dytë të integruar në Universitetin e Mjekësisë Tiranë janë: Nota mesatare e Maturës Shtetërore 35%; Nota mesatare e 3 (tri) viteve të shkollës së mesme 35%; Lëndët formuese 30%. Lëndët formuese që preferon Universiteti i Mjekësisë në vendimin e ndryshuar të muajit mars, janë 3 dhe jo 5: Kimia 10%; Biologji 10%; Fizikë 10%. (Nota mesatare e shkollës së mesme nxirret duke mbledhur të gjitha notat e lëndëve që kanë studiuar përgjatë tri viteve të studimit, dhe duke i pjesëtuar me numrin total të lëndëve. Nota mesatare e provimeve të maturës, nxirret duke mbledhur 5 notat e provimeve të maturës dhe duke i pjesëtuar me 5.)

Një risi në vendimin e senatit janë edhe koeficientët e shkollave të mesme, ku ato me kohë të plotë kanë koeficient 1.4, ndërsa të gjitha shkollat e tjera të mesme kanë koeficientin 1. Më tej, në njoftimin e rektoratit të UMT-së përcaktohet se në rast se kandidatët kanë të njëjtin numër pikësh, për t’u përzgjedhur në Universitetin e Mjekësisë Tiranë ka përparësi mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore. Në rast se edhe mesatarja e Maturës Shtetërore është e njëjtë, përzgjedhja do të bëhet me short në praninë e kandidatëve.

“Për përpunimin e të dhënave dhe renditjen e studentëve sipas kritereve të miratuara po realizohet një marrëveshje me Qendrën Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik (RASH), me qëllim krijimin e një programi kompjuterik për përpunimin e të dhënave dhe renditjen e kandidatëve”, sqarohet nga rektorati i UMT-së. Veç kritereve të sipërpërmendura, maturantët që do të aplikojnë në programet e studimit të ciklit të parë dhe ciklit të dytë të integruar në Universitetin e Mjekësisë, duhet të plotësojnë patjetër kriterin e mesatares, e cila varion në bazë të fakulteteve. Fakulteti i Mjekësisë, ai i Stomatologjisë dhe i Farmacisë kanë si kriter notën mesatare 8.5, ndërsa fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, ku përfshihen profesionet e Infermierisë, Mamisë, Teknik Laboratori, Logopedisë dhe Imazherisë, e kanë pak më të ulët mesataren e aplikimit, pasi është 8. Nëse kandidatët nuk e plotësojnë këtë kusht, pra nëse nuk kanë mesataren e duhur, sistemi elektronik ‘Portali Matura Shtetërore online’ nuk i lejon të bëjnë plotësimin e formularit të aplikimit.

Related posts