Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull

Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull

Yzedin Hima 

Figura e Vexhi Buharasë për vite të tëra ka qënë e mbështjellë nga një tis mjegulle, gati mitike. Poezitë e Saadiut, të përkthyera prej tij, në qytetin e Beratit dhe më gjerë qenë mësuar përmendësh edhe nga njerëz të thjeshtë. Buharaja nga lexuesit shihej me adhurim, sikur të ishte autori i atyre poezive dhe sentencave të famshme. Më pas ai nisi të përkthente poetë të tjerë nga persishtja me synimin e hartimit të një antologjie, nisi të lexonte e shqipëronte në portikë, në rrasa mermeri, në vende të shenjta dhe në pllaka varresh, vargje që qenë shkruar në gjuhët orientale. Nisi të përkthente defterët osmanë me zellin e një të pashpresi. Nisi të përkthente “Shahnamenë”, por Firdeusi dhe “Shahnameja” e tij nuk njihej nga lexuesit shqiptarë, sepse nuk u botua sa qe gjallë Buharaja. Ai qendronte në shtëpinë e tij modeste për orë të tëra mbi libra me një alfabet ekzotik, lexonte e shkruante deri në mbrëmje vonë. Qytetarët e Beratit e respektonin, e shoqëronin, disa sosh me siguri që edhe e spiunonin, ndonëse ai qe mjaft i përkorë dhe i kujdesshëm në ato që bënte dhe fliste. Flitej se punonte në Akademinë e Shkencave. Banorët e rrugicës së tij çuditeshin me punonjësin e Akademisë që punonte gjithë ditën dhe gjysmën e natës në dhomën e vogël të shtëpisë, që s’kishte asgjë nga hija e rëndë e Akademisë.

Të vjetrit thoshin se V. Buharaja dikur kishte shkruar edhe vetë poezi të ndjera. Askush nuk dinte të thoshte ndonjë varg nga poezia e tij. Në bibliotekën e qytetit gazetat dhe revistat e viteve ’40, ku kishte botuar poezitë Buharaja, qenë të rezervuara, që do të thoshte se lexuesit e thjeshtë nuk mund t’i shfletonin. Poezitë e Buharasë qenë strukur në atë kohë brenda burgut të fondit të rezervuar. Lexuesit pasionantë të asaj kohe përpiqeshin të përfytyronin se si mund të qenë ato poezi. A kishte shkruar ndonjë poezi për dashurinë?  Flitej se kishte dashur një vajzë tiranase. A kishte lënë gjurmë në ndonjë poezi të Buharasë kjo vajzë dhe a mund të përcaktohej identiteti i saj? A vazhdonte të shkruante ende poezi Vexhi Buharaja? Kujt ia tregonte poezitë e tij? Atyre burrave “që flisnin tërë ditën për çmimin e grurit dhe të misrit dhe se kush është i mire kush është i keq”, pa dyshim që jo. Qenë disa mjegulla që formonin shtresime që të pengonin të arrije deri te Buharaja.

Mjegulla e parë qe fakti që Buharaja kishte shkëlqyer në poezi në vitet e luftës, në kohën “kur gjaku derdhej rrëke dhe bota qe përfshirë nga urrejtja, djaloshi Buharaja shkruante poezi për dashurinë”,* kur bashkëmoshatarët e tij rroknin pushkën, Buharaja mbërthente penën dhe shqipëronte Shirazinë.

Mjegulla e dytë qe diferenca në kulturë e Buharasë me mjedisin që e rrethonte. Një njeri që dinte gjuhët kryesore të Perëndimit dhe të Lindjes, që kishte siguruar në mënyrë autodidakte një formim kulturor brilant, vetiu rrethohej nga një aureolë e padepërtueshme. Tregojnë se te stoli i famshëm në parkun “Dëshmorët e Kombit” në Berat, vendin e V. Buharasë nuk e zinte askush. Ai ulej midis atyre burrave në moshë dhe niste të tregonte përrallën e radhës me një gjuhë mjaft të thjeshtë, si gjuha e teksteve të fëmijëve në kopshte. Mjeshtri e dinte mirë se si duhet të përshtaste rrëfimin për ata që e rrethonin. Ata e dëgjonin gojëhapur. Një Zot e di se sa i vetmuar ndihej Buharaja midis atyre burrave!

Mjegulla e tretë qe e kaluara e tij misterioze për shumicën e qytetarëve. Pse e futën në burg njeriun që nuk merrej as me politikë, as me tregëti, por shkruante dhe përkthente poezi? Nuk ishte zbehur ende në sytë e qytetarëve ai mal me libra që iu konfiskua Buharasë. “A mund të lexonte njeriu një mal me libra?” Kjo pyetje nuk kishte marrë kurrë përgjigje.

Mjegulla e katërt qe libri i munguar poetik dhe distanca e Buharasë me poezitë e tij, distancë që me kalimin e kohës zgjatej. Ato të burgosura në fondin rezervë, ndërsa ai në stolin e pagdhëndur të rrojtores në qendër të qytetit, duke prerë fatura për klientët. Ndrinte rrojtorja nga humori i berberëve dhe pasqyrat e shumta. Vexhi Buharanë  me zor e dalloje në një kënd të rrojtores, larg pasqyrave dhe pasqyrimit, në vetminë e tij të shenjtë.

Mjegulla e pestë qenë vizitat e njerëzve të shquar në shtëpinë e Buharasë, profesorë, studjues, botues, akademikë. Ndër ta edhe i ndjeri profesor Aleks Buda e ka vizituar dhe është parë në shoqëri me Vexhi Buharanë në vitet e vështira për të. Jemi kuriozë nëse profesori i njohur ka lënë ndonjë shënim për këtë takim. A nuk ishte enigmë fakti që një faturist rrojtoreje të shoqërohej për orë të tëra nga kryetari i Akademisë së Shkencave? Që një njeri i padëshirueshëm të vizitohej nga nga një pjestar i familjes së Hoxhës, studjuese në një institucion qendror?

Mjegulla e gjashtë qe mbiemri Buharaja, një qytet mijëra kilometra larg Beratit. Disa mendonin se qe një familje me origjinë perse që kishte mbetur në Berat si disa familje armene, hebreje, ruse të bardhë dhe boshnjake që qenë vendosur në Berat që herët. Mjegulla e shtatë qe dashuria a simpatia e fshehtë e poetit për një vajzë, e cila frekuentonte një nga institucionet fetare në Tiranë, ku predikonte e këndonte me një zë mjaft të bukur poeti 19 vjeçar. Nuk dihet saktë se çfarë ka ndodhur me dy të rinjtë. Lufta që erdhi edhe në Shqipëri në vitin 1939, kur vendi u pushtua nga italianët, i ndau të rinjtë. Buharaja me siguri e mallkoi luftën se i largoi ëndërrën a dashurinë e tij. Gjatë viteve të pushtimit ai e përbuzi luftën duke u marrë me letërsi. Pas lufte u martua me një vajzë nga Berati.

Mjegulla e tetë qenë sytë e Buhrasë, krejt fëminorë edhe kur ai kaloi të gjashtëdhjetat. Vështrimi i tij i pafajshëm trondiste gjithkënd që kishte një shpirt.

Mjegulla e nëntë qe një aureole mistike që e rrethonte poetin që besonte te Zoti dhe në të ri kishte kryer edhe një shkollë fetare.

Buharaja jetoi në një vetmi të thellë, ndonëse qe i rrethuar, ose qe në rrethim nga të afërm, bashkëmoshatarë dhe kolegë të rastësishëm pune.

Menduam se duke hedhur një vështrim mbi poezinë e tij, duke bërë edhe ndonjë sprovë krahasuese, duke sjellë mendimet e disa personaliteteve të letërsisë dhe kulturës për krijimet e tij dhe shqipërimet e teksteve letrare dhe ato jo letrare nga gjuhët e Orientit, duke shfaqur edhe ndonjë mendim për mrekullinë e gjuhës në poezinë e madhe perse, sjellë në shqip mjeshtërisht nga Buharaja, duke u ndalur në poetikën e tij dhe duke e lënë derën hapur për t’u kthyer sërish, mund ta largojmë sadopak atë tis mjegulle që përmendëm më lart për të njohur e takuar Vexhi Buharanë, poetin, dijetarin dhe shqipëruesin, pa mjegull e mite.

 

Saadiu dhe Buharaja

 

“Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij”*- shkruan Vexhi Buharaja në parathënien e “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit, i quajtur edhe “Shekspiri i Lindjes”. Është një thënie që të trondit, vetëm me një fjali, gjithësej gjashtë fjalë. Poezia që shpirtëzon sende, dukuri : deti qesh, lumenjtë vrapojnë, mali hesht, në këtë rast shpirtëzohet vetë : Vargu jeton! Brenda një fjalie Buharaja na jep një përcaktim për poezinë e Saadiut, që të tjerët do të shpenzonin fraza të tëra për të shpjeguar se poezia e tij ka një ndjeshmëri të lartë, se ajo përcjell botën e trazuar shpirtërore të autorit, se te vargu autori derdh shpirtin e tij, etj. etj. Ndonëse janë shpenzuar fjali të tëra nuk janë thënë pikërisht atë që Buharaja nënvizon në një fjali të vetme: “Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij. Brenda thënies së Buharasë kemi përdorim të kohës së tashme të foljes jeton. Ai nuk përdor kohën e kryer e thjeshtë: Vargu jetoi jetën e brendshme të autorit të tij, por kohën e tashme që do të thotë se edhe pse kanë kaluar shtatë shekuj nga vdekja e Saadiut ( 1203 ose 1210- 1290), vargu jeton, në mënyrë të pavarur nga autori i tij. E vetmja varësi është se vargu jeton pikërisht jetën e brendshme të autorit. Pra jeton jetën e brendshme të Saadiut. Buharaja i ka kursyer gjuhës fjalë e fjali të tëra etj. etj. Buharaja në një fjali me gjashtë fjalë ndëkohë ka kryer punë duke kumtuar gjithçka ka të bëjë me gjeninë e poetit, pavdekësinë, jetën në shumë trajta dhe vende të të njëjtit shpirt (shpirtit të Saadiut) etj. Ky fakt tregon se Buharaja  kishte të gjithë instrumentat intelektualë dhe shpirtëror për të depërtuar në artin e madh të klasikëve persë dhe artit në përgjithësi.

 

Një zjarr që të ndezë e veja në zi

Shum’ herë qytetin e djeg e bën hi,*

 

shkruan Saadiu te “Bostani”. Vargjet jetojnë jetën e brendshme të autorit, siç tha

Buharaja më lart, por padyshim këto vargje të bukur në shqip jetojnë edhe jetën e brendshme të përkthyesit të shquar.

 

“…Ishte një detyrim jo vetëm ndaj poetit klasik pers Saadi Shirazi, por edhe ndaj shqipëruesit të paharruar Vexhi Buharaja… Në përfundim të diskutimit shkencor që u zhvillua për këtë çështje u vendos që gjuha e shqipëruesit të mos preket, përveç rasteve të rralla të ndonjë gabimi teknik në shtypshkrim. Ky qendrim u mbajt jo vetëm për të respektuar vullnetin dhe zgjedhjen e shqipëruesit, klimën e kohës së përkthimit, por edhe për arsyen themelore, që në shqipen e Vexhi Buharasë çdo fjalë ka lezetin e vet, duke përfshirë persizmat e orientalizmat, të cilat janë trajtuar me ledhati prej tij. ”- shkruan Reza Karami*, drejtor i Fondacionit “Saadi Shirazi”.

Related posts