“Vizion 2019”, ekspozita e nxënësve të shkollës artistike në Berat

“Vizion 2019”, ekspozita e nxënësve të shkollës artistike në Berat

Qyteti muze i Beratit duket se do të vazhdojë të nxjerrë emra të rëndësishëm në artet pamor dhe në të ardhmen. Këtë e dëshmon fakti se nga viti në vit nga Shkolla e Mesme Artistike dalin nxënës të talentuar, të cilët më pas vijojnë studimet pranë Akademisë së Arteve në Shqipëri, por dhe jashtë saj.

Është bëtë traditë tashmë që në mbyllje të vitit shkollor nxënës të kësaj shkolle të prezantojnë për publikun krijimet e tyre gjatë një viti krijmtarie në shkollë dhe jashtë saj.

Mësues i viziatimit dhe grafikës, pranë shkollës “Ajet Xhindole”  në cilësinë e kuratorit, Ermal Mbrakulla  mundësoi hapjen e ekspozitës “Vizion 2019”,  e cila ju prezantua mbrëmjen e djeshme publikut beratas.

Nën kujdesin e mësuesit të tyre, nxënësit Reigers Çanta, Albion Çalamani, Matea Ruzi, Oltjan Tarellari  dhe Joela Ziraj, i prezantuan publikut krijimet e tyre në këtë ekspozitë të parë për ta, e cila i hap rrugën rrugëtimit të tyre artistik.

Mësuesi Ermal Mbrakulla, u shpreh se në këtë ekspozitë nxënësit vijnë me plotë 73 vepra të krijuara gjatë një viti të plotë mësimor, prej të cilave 40 i përkasin pikturës dhe 33 në grafikë. Mësuesi u shpreh entuziast për të ardhmen artistike të nxënësve, pasi veç talentit ata punojnë sistematikisht në shkollë dhe jashtë saj.

Nga ana e tij, drejtori i shkollës artistike “Ajet Xhindoli” u shpreh se nxënësit e kësaj shkolle pak ditë më parë u prezantuan me një ekspozitë në Prizrenë dhe po tregojnë me punën e tyre se kanë të konsoliduar rrugën e artit, të cilën e kanë zgjedhur.

Related posts