Vonohet rimbursimi i TVSH-së. Biznesi fason: Financat na kanë vendosur në vështirësi

Vonohet rimbursimi i TVSH-së. Biznesi fason: Financat na kanë vendosur në vështirësi

Vonesat në rimbursimin e TVSH-së e kanë vënë në vështirësi biznesin, veçanërisht atë kategori që punon për eksport, si fasonistët.

Florjan Zekja, i Dhomës së Fasonëve, shprehet: “Ka dy vjet që ka krijuar vështirësi, pasi biznesi fason është bërë “bankë” për qeverinë dhe i është dashur të përballet edhe me uljen e euros”.

Në fund të vitit të kaluar, borxhi i akumuluar i qeverisë për TVSH-në e pakthyer vlerësohej 12 miliardë lekë, ose 100 milionë euro. Për të shlyer këto detyrime, në buxhetin e këtij viti u planifikua të rimbursohen 1.7 miliardë lekë TVSH për çdo muaj. Por, ndonëse në janar ky kufi u respektua, në shkurt Ministria e Financave rimbursoi vetëm 585 milionë lekë, ose një të tretën e planit.

“Me të dhënat që kemi ne, ministria ka rimbursuar deri në gushtin e vitit të kaluar dhe borxhi për fasonët është 2.9 miliardë lekë. Ministria e Financave jep të dhëna të tjera”, thekson Zekja.

Vonesat në rimbursimin e TVSH-së nisën të shfaqeshin në vitin 2017, kur kërkesat për rimbursim u rritën ndjeshëm për shkak të investimeve të mëdha si TAP apo kaskada e Devollit. Qeveria ka premtuar shlyerjen totale të detyrimeve brenda këtij viti, por ky premtim mund të vihet në rrezik nga ecuria e dobët e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Top Channel

Related posts