Zoti Hiç dhe gazetarët e mirë

Zoti Hiç dhe gazetarët e mirë

Nga Erl Kodra

Shumë prej nesh e kanë parë ose kanë dëgjuar për serialin televiziv “The walking dead”. Ajo çfarë e bën të veçantë këtë prodhim filmik nuk janë “njerëzit e vdekur që ecin” por janë sjelljet njerëzore në një botë kaosi, denatyrimi i humanizmit, lufta për mbijetesë dhe raportet e reja ndërnjerëzore në botën e kaosit post apokaliptik. Një peisazh i rëndë me mbeturina gjithëfare, ndërtesa të braktisura, makina të shkatërruara, rrugë të vdekura, dhe njerëz të dëshpëruar që ecin ngadalë drejt askundit, të shtyrë vetëm nga instinkti i mbijetesës. Tashmë, të gjithë kanë hequr dorë nga shpresa, por përpiqen të shtyjnë ditët në një luftë gati pa motiv, që vetëm të mos kafshohen nga përbindëshat zombi. Alexandria Safe-Zone është një ëndërr ku njerëzit përpiqen të krjijojnë bashkësinë e tyre, të mbrojtur me mure të larta. Përtej atyre mureve është hiçi, asgjëja.

Shumëkush mund të ketë dyshime në përpjekjen time për të ndërtuar një tekst për “gazetarët e mirë” duke e filluar atë me një paragraf për filmin “The walking dead”. Shumëkujt unë mund t’i dukem shpresëhumbur dhe mbase i rënë në depresion, nuk e di. Megjithatë unë përpjekjen time do ta çoj deri në fund, tek e fundit nëse unë gaboj, ju mund ta injoroni tekstin tim. Por në këtë rast, do ishte mirë të argumentonit të kundërtën.

Alexandria Safe-Zone

Shqipëria ngjan shumë me një shoqëri kaosi. Shikoni Tiranën dhe qytetet kryesore, veçanarisht qyetetet në vijën bregdetare të saj. Ndërtime gjithëfare, pa plane dhe pa rrugë, beton dhe hekur i rrasur e ngjeshur egërsisht. Kjo katrahurë nuk u ndërtua në një ditë, dhe “gazetarët” e mirë shumicën e kohës heshtën. Për më tepër, ata mbështetën fort njeriun që i dha krahë kaosit urban duke ia shtruar rrugën drejt pushtetit suprem. Njëmbëdhejtë vitet e Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës i kanë dhënë vulën përfundimtare shkatërrimit të pakthyeshëm të saj. Ky është një fakt, por jo për “gazetarët e mirë” që akoma vazhdojnë ta mbështesin Kryeministrin Edi Rama, duke përmendur gjithmonë si arritje madhështore të tij lyerjen e disa fasadave dhe çlirimin e Lanës, por duke injoruar plotësisht përbindëshat prej betoni që e kanë shkatërruar përfundimisht kryeqytetin tonë.

Po kështu, pothuaj të gjitha fushat ku një shoqëri rreket të ndërtojë të ardhmen janë në kaos. Në kaos është shëndetësia, arsimi, bujqësia, turizmi dhe shërbimet, energjitika, tregtia dhe biznesi, sistemi i taksave dhe tatimeve, bankat, pronat dhe hipotekat, rendi dhe siguria, droga dhe trafiqet, universitetet dhe Akademia e Shkencave, Gjykatat dhe Prokuroria, sistemi zgjedhor dhe politika, politika e jashtëme dhe integrimi. Vet Kushtetuta jonë është kthyer në një grumbull ligjesh kaotike që prodhojnë kriza.

Peisazhi shqiptar është i zymtë, mbytës dhe kutërbues. Sharra, me varrezat e të vdekurve dhe varrezat e plehrave, ku bashkë me plehrat e kryeqytetit digjen edhe kufomat e qenëve rrugaçë dhe koteleve fatëkeqe, duket si një skenë e vjedhur nga filmi “The walking dead”. Ndërsa vetëm dy kilometra më lartë, fillon “Alexandria Safe-Zone”. Aty banojnë edhe “gazetarët e mirë” që nuk shkruajn e nuk flasin asnjëherë për çfarë duhet, por vetëm për çfarë u kërkohet dhe paguhen.

Vitet e fundit shumë qytetarë shqiptar po e braktisin këtë vend. “Alexandria Safe-Zone” nuk është më e sigurtë, dhe “ta gjallët që zvarriten” po përpiqen që me fuqitë e fundit të mbijetojnë. Jo për shoqërinë dhe Shqipërinë, por për familjet e tyre, për fëmijët e tyre.

Raporti me të vërtetën është gjithmonë në rrisk për t’u deformuar edhe në shoqëri shumë më të zhvilluara dhe më demokratike se shoqëria jonë. Por në shoqëritë e tjera ka “gazetarë të mirë”, që profesionin e shohin si mision. Me sa duket shoqëria shqiptare ka vetëm një shpresë; gazetarët e mirë. Ata duhet të bëjnë katharsis-in e tyre të thellë. Meqenëse ata (gazetarët e mirë) janë në ato pozicione dhe pika komunikimi me shoqërinë, është detyra e tyre, për të mirën e të gjithëve dhe të mirën e tyre, t’i thonë të vërtetat e hidhura ashtu siç janë. Sepse më tej ska asgjë, më tej është Zoti Hiç.

09 Shtator 2017

Related posts