52% e të rinjve shqiptarë duan një udhëheqës që drejton me ‘dorë të fortë’

52% e të rinjve shqiptarë duan një udhëheqës që drejton me ‘dorë të fortë’

52% e të rinjve në Shqipëri duan një udhëheqës që drejton vendin me ‘dorë të fortë’. Ky është rezultati që del nga sondazhi i fondacionit “Friedrich Ebert” ku kanë marrë pjesë 1200 të rinj në të gjithë Shqipërinë, të moshës 14-29 vjeç.

62 përqind e të rinjve thonë se nuk janë fare të interesuar për politikën. Në krahasim me të dhënat e vitit 2015, kur kjo shifër ishte 40 përqind. Ata që janë shumë të interesuar për të përllogariten vetëm në 3 përqind, shifër kjo më e ulët se në vitin 2015, kur ata ishin 7 përqind. Niveli i mosinteresimit për politikën është i njëjtë si për të rinjtë e zonave urbane dhe për ato rurale, duke dëshmuar një indiferentizëm të përgjithshëm rinor.

Përputhja e bindjeve politike të të rinjve me ato të prindërve është kuriozitet social. 28 përqind e të rinjve të intervistuar pohojnë se ato nuk përputhen aspak. Në krahasim me të dhënat e vitit 2015, kur ky tregues ishte 13.8 përqind vërejmë se ka një prirje drejt pavarësisë më të madhe për të gjykuar mbi politikën.

63 përqind e të rinjve të interevsituar pohojnë se burimi i informacionit për politikën është Interneti, duke dëshmuar një rritje të ndieshme në krahasim me vitin 2015, kur këtë e deklaronin 39 përqind e tyre. Në krahasim me 2015 është rritur numri i të rinjve në zonat rurale, që përdorin internetin si burim informacioni për politikën.

Rreth 23 përqind e të rinjve të intervistuar deklarojnë se bindjet e tyre politike janë të majta, 29 përqind të qendrës dhe 18 përqind janë me bindje të djathta.

Besimi i te rinjve shqiptarë tek institucionet kryesore të vendit, te parlamenti, qeveria dhe presidenti, paraqitet i ulët. 51 përqind e tyre pohojnë se nuk i besojnë institucionit të presidentit, 51 përqind nuk i besojnë parlamentit dhe 48 përqind nuk i besojnë qeverisë.

Related posts