Alteo Hysi: “Nuk do të jem kandidat për FRESSH-in e Beratit”

Alteo Hysi: “Nuk do të jem kandidat për FRESSH-in e Beratit”

“Pa angazhim publik, nuk ka virtyt, ka vetëm një shoqëri fantazmash.” – Kështu shprehet gjatë intervistës së tij për “beratinews.com”, Alteo Hysi, i riu beratas, që çdo force politike në Berat do të kishte luksin ta kishte në strukturat e saj.

Djalë i talentuar, ish-nxënës i shkëlqyer i gjimnazit më të mire të Beratit, aktivistë i shoqërisë civile për problemet sociale dhe rinore, në një intervistë për “beratinews.com” flet për projektet dhe synimet e tij për të ardhmen.

Mes të tjerash, Hysi thotë se përfundimisht ka hequr dorë nga angazhimi i tij politikë, në mënyrë aktive, duke u tërhequr nga kandidimi për strukturën e FRESSH-it, duke pasur si synim dhe projekt gazetarinë.

 

Bisedoi: Namir Lapardhaja

 

Alteo, tanimë, në qytetin e Beratit shquheni si një nga aktivistët më të angazhuar në çështjet e problematikat sociale, rinore, dhe jo vetëm. Pse kjo përqasje me angazhimin publik?

Angazhimi rinor nuk është as kafe ekspres që kthehet me të shpejtë, as cigare që digjet me shpejtësinë e erës. Është proces i gjatë, që kërkon kohë, ndjeshmëri, nerv, pasion, këmbëngulje, durim për të mbrojtur kauza. Qysh herët kam besuar që asgjë nuk vjen nga hiçi. As problemi, po as zgjidhja. E po kaq herët kam konstatuar që një lloj “rehatlliku”, tërheqjeje, zhytje në baltën e idesë se “të gjithë janë njësoj”, e se “Shqipëria është e mallkuar të mos ndryshojë kurrë”, është shndërruar në një grackë të keqe ku kemi rënë kolektivisht.

Të rinjtë mund ta përmbysin këtë mendësi, dhe më ka rezultuar, nga eksperiencat e angazhimit rinor, që edhe veprimet më të vogla, bërë me këmbëngulje e pasion të madh, kanë ndezur një shkëndijë. Pa angazhim publik, nuk ka virtyt, ka vetëm një shoqëri fantazmash. Veç kësaj, e kam parë si një ndër të paktat forma që më realizon, përmbush si individ, si qenie njerëzore. Është i papërshkrueshëm momenti kur ti arrin t’i shpërthesh energjitë rinore në një formë a një tjetër, në një demonstratë paqësore, a në ndonjë koncert bamirësie. Është shumë i paqtë momenti, kur ti shkon në shtëpinë e të moshuarve për të dhënë e marrë dashuri njerëzve që kanë nevojë për njerëz. Fundja, ne jemi këta që jemi falë edhe atyre që na rrethojnë.

 

Në qytetin e Beratit, ju njohin edhe si aktivist politik në Forumin Rinor Eurosocialist të Shqipërisë. Pse kjo zgjedhje? Nga vullnetar i çështjeve sociale dhe të trashëgimisë kulturore, në perfaqësues të një force politike?

Politika nuk është as zjarri që po ti afrohesh të djeg e të bën hi, as dera që të shpie në humnerë. Të paktën jo ajo politikë, që ka ngritur, rimëkëmbur, kombe e popuj të tërë nga hiçi. Me këtë koncept në kokë, me konceptin e politikës si vokacion, po sigurisht edhe me bindjet e mia të majta, kam zgjedhur të përfaqësoj, po edhe të përfaqësohem në politikë.

 

Dhe sa e keni gjetur e arrirë këtë pritshmëri në realitetin politik lokal?

Pak dhe shumë. Po e nis nga “shumë”. Në këto katër vitë të angazhimit tim në FRESSH-in kam qenë deri në skajet më të largëta të këtij qarku. Kam takuar të rinj me një energji të papërmbajtur njerëzore, që e përçmojnë demoralizimin, viktimizimin. Që nuk presin asgjë nga askush. Por marrin lopatën, sëpatën, dhe punojnë pambarim tokat e fushat. Kam parë të rinj që i ka lodhur e njëjta situatë konstante e ndryshimeve që do të vijnë, por se kur, një Zot e di. E, pavarësisht kësaj, nuk e kanë humbur besimin. Kjo, pra, është pritshmëria e madhe që kam gjetur të realizuar: Të rinj energjikë, por realistë.

“PAK”, sepse në kontrast nga kjo, kam parë e njohur të rinj të vjetër, të brumosur me idenë se politika është luftë për një lidhje më shumë me “të mëdhenjtë”, për një vend pune. Të rinj të vjetër, me ego të madhe e personalitet të vogël që lëpihen e rrihen për një qokë, për një karrige, për një buzëqeshje nga “të mëdhenjtë”. Këta, pra, të rinjtë e komformuar, që presin lëmoshën, janë rrezik për shoqërinë.

 

A keni modele në politikë?

Modele po, kam!

 

Mund t’i ndani me ne?

Nuk jam tip i rezervuar, Namir, ti më njeh! Model i politikës fisnike, i politikës që bëhët me nder e djersë, në të mirë të dritës e përparimit, është Elisa Spiropali. Siç thashë më lart, i neveris të rinjtë që komformohen, ulin kokën për hatër të interesave, frikohen nga liderët apo pushteti. Elisa Spiropali e ka dhënë fisnikërisht shembullin e të riut guximtar, që nuk ka frikë as të thyejë të vjetrën, rreshtoren, as tu tregojë vendin të rinjve të vjetër e materialistë.

Ndërsa, për energjinë dhe kurajon që ka në të parin e gjërave më këmbë në tokë dhe trajtimin e problemeve pa hipokrizi, pa “kurvëri politike”, ndjek fort modelin e Eduard Shalsit.

 

Ju kanë zhgënjyer ndonjëhërë bashkëpunëtorët tuaj në angazhimin brenda FRESSH?

Unë kam perceptim krejt të kundërt nga shumica për zhgënjimin. Zhgënjimi nuk është as fatal, as sinjifikativ. Përkundrazi, është një mundësi për të njohur më shumë veten, tjetrin, marrëdhënien midis të dyve, sepse zhgënjimi nuk vjen kot, është produkt i defektit në komunikim a marrëdhënien midis të dyve.

 

Nëse do ta kishe drejtuar ndonjëherë Beratin, nga do t’ia kishe  nisur?

Nga skuadra, njerëzit, idetë, skema, strategjia. Mundësisht skuadrën do e zgjidhja më të mirë se vetja. Që karrigia të mos më kthehej më vonë në rrezik. Strategjinë do t’ia besoja pikërisht skuadrës, jo vetes.

 

Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme lokale?

Si një tren në shina të ndryshkura. Mundohet me gjithë energjitë e veta të ecë në vështirësi.

 

Po kryetarin aktual të bashkisë?

Mendoj që drejtuesit më të mirë vlerësohen jo në kushte mirëqenieje apo buxhetesh të mëdha. Vlerësohen më mirë në situata dhe kushte të vështira për qytetin. Fadil Nasufi ka qenë një menaxher i mirë në periudha jo të mira. Këtë ia vlerësoj.

 

Forumi ku ju aderoni është momentalisht në proces zgjedhjesh? A aspironi ju për të qënë drejtues lokal i FRESSH-it?

E di çfarë? Termat “drejtues”, “lider”, më lodhin. Asnjëherë, në gjithë historinë e angazhimit tim rinor, nuk kam pritur për liderat, kam kërkuar modelet dhe njëkohësisht kam ndërtuar modele me moshatarët e mi. Ndaj, me FRESSH-in nuk kam lidhur asnjëherë aspirata personale, por vetëm energjinë dhe entuziasmin e të qenit pjesë e një grupimi që ka bërë dhe po bën histori në politikën shqiptare. Nga FRESSH-i kam dhënë dhe kam marrë, eksperianca, sfida, beteja e qëllime të realizuara për të mirën e përbashkët.

Nuk do të jem, pra, kandidat!

 

Janë të vërteta zërat, që ja u kanë mohuar të drejtën e kandidimit? Nëse po, cilat janë arsyet?

Unë nuk pres të më mohojnë apo pohojnë diçka. Nëse e dua diçka që mendoj se e meritoj , e arrij dhe pikë! Me punë, ngulm, dinjitet !!!

 

Çfarë mesazhi ju jepni atyre që i quani “të rinj të vjetër”?

Uroj të kthejnë rrugë. Të gjejnë veten, para se e vjetra t’u marrë të vetmen pasuri natyrale që kemi: karakterin dhe moralin.

 

Ku e sheh veten definitivisht? Në politikë? Shoqërinë civile apo gazetari?

Definitivisht, gazetari. Nuk mund të bësh edhe gazetari edhe politikë. Edhe politikë edhe shoqëri civile. Se pastaj kthehesh në klloun cirku.

 

Pra, do të hiqni dorë edhe nga FRESSH?

E rëndësishme është që gjithmonë do të ndihem FRESH ( energjik, racional, entuziast dhe shumë pasionant ndaj botës e shoqërisë ku jetoj).

Related posts