Dorëheqja – kjo herezi në politikën shqiptare

Dorëheqja – kjo herezi në politikën shqiptare

Nga Namir LAPARDHAJA* –

Ndërkohë që në të gjithë vendet përreth nesh, për të mos folur për ato më të zhvilluara dhe me demokraci më të konsoliduar, institucioni i dorëheqjes është diçka krejt normale dhe e natyrshme, edhe për gjëra e problematika që në optikën tonë duken pa rëndësi, këtu tek ne, në Shqipëri, mezallah se i shkon kujt në mendje të japë dorëheqje, t’i japë frymëmarrje vendit dhe demokracisë, ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

Kjo nuk është e tashme. Është e vjetër në politikën tonë. Më lehtë ne e çojmë vendin në përplasje civile se sa në zgjedhje të parakohshme. Politika shqiptare përsërit gabimet e së kaluarës, duke i shtuar asaj pafund të reja, ndonëse kohët dhe rrethanat ndryshojnë.

E nëse do të kishte një rast ideal që një qeveri të dorëhiqej me dinjitet, do të ishte pikërisht kjo krizë e madhe politike (jo vetëm, në fakt) që po kalon sot Shqipëria.

Pavarësisht kush është fajtori, pavarësisht se në anën e kujt është e drejta dhe e vërteta, një kryeministër dinjitoz dhe që vendos vendin përpara pushtetit personal, del një ditë të bukur përpara kombit dhe thotë: dorëhiqem për këto arsye, shkojmë në zgjedhje dhe kërkoj një mandat të ri qeverisës për të vijuar më tej reformat e nisura.

Fatkeqësisht ky nuk është rasti ynë. Është i Britanisë, i Austrisë, i Greqisë etj., por jo rast i Shqipërisë.

Politikanët tanë janë ngushtësisht të lidhur pas pushtetit. Ata e adhurojnë atë. Kanë marrëdhënie robërie; si robi me Zotin. Kjo marrëdhënie ata i nxjerr cullak përpara syve të njerëzve: pushteti shihet si mundësi përfitimi e abuzimi, si mburojë dhe si rrjedhojë e privilegjeve të mëdha dhe të pa merituara e jo si mekanizëm për të përmirësuar jetën e njerëzve.

Ka edhe një arsye tjetër: këtu nëse je në pushtet, i fiton të gjitha; në të kundërt, humbet gjithçka. Politika jonë është e Asit dhe e Dyshit, s’ka të ndermjetme, sepse pushteti ekzekutiv kontrollon, pothuajse, të gjithë pushtetet e tjera bash si përpara 30 vjetësh. Sepse, po të ndodhte ndryshe, nuk do ishte ky mbërthim me dhëmbë e me shpirt pas politikës dhe pas pushtetit.

Dorëheqja duket si herezi, si dobësi, si frikë, si humbje, ndërkohë që përreth nesh është diçka normale. Është pikërisht ky raport me pushtetin ajo që e shndërron çdo kryeministër dhe çdo qeveri të ketë këtë qasje dhe ta shoh dorëheqjen si gjënë e fundit që mund t’i shkojë ndër mend.

Related posts