EKSKLUZIVE/ GAZMENT TOSKA OSE ZIMBILE QEROSKA, SIPËRMARRËSI QË BËRI BATUTË ME RAMËN, PRODHON PËR MBRETËRESHËN ELISABET

EKSKLUZIVE/ GAZMENT TOSKA OSE ZIMBILE QEROSKA, SIPËRMARRËSI QË BËRI BATUTË ME RAMËN, PRODHON PËR MBRETËRESHËN ELISABET

Ekskluzive/ Gazment Toska ose Zimbile Qeroska, sipërmarrësi që bëri batutë me Ramën, prodhon për Mbretëreshën Elisabet

Nga Anxhela Ferra

Emri i Gazment Toskës u lakua shumë nga media, pas takimit të Kryeministrit Rama me sipërmarrësit, javën e shkuar, për përgjigjen që Toska i dha Kryeministrit, kur e pyeti nëse kishte dy emra. “Më quajnë Gazment Toska, por më thonë edhe Zimbile Qeroska,” – tha ai, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Sipërmarrësi francez, me origjinë nga Berati, tregon  për dritare.net për dy emrat e tij dhe shumë emrat e ekonomisë së Shqipërisë.

Dritare.net- Z. Gazment, sa emra keni?

Vetëm një emër kam. Pyetjen e z. Rama nuk e kuptova fare, pasi më vonë më thanë që në Shqipëri paska probleme me dy emra. U përgjigja në formë shakaje.

Dritare.net- Si ju duk konferenca ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri, së bashku me Ambasadorë dhe sipërmarrës të tjerë?

Hera ime parë në një konferencë të tillë. Isha për të treguar shembullin tim, që mund t’ia dalim mbanë, nëse i jepet rëndësia e duhur këtij sektori. Të tregoja të vërtetën, që kemi një potencial shumë të madh, por kemi mungesa në organizimin e administratës.

1

Dritare.net- Në mendimin tuaj, cilat janë politikbërjet që duhet të ndiqen për të zgjidhur këtë ngërç?

Analizat unë i bëj për periudha 25 vjeçare dhe i referohem një kohe të gjatë. Në fushën e ekonomisë, një prej dramave të Shqipërisë është që kur iku komunizmi, ne ngatërruam fqinjin me mikun, duke marrë për model Greqinë dhe Italinë e Jugut, të cilat janë nxënësit e fundit të Evropës, përsa i përket modelit ekonomik.  Pra, kryesore është që miqtë t’i zgjedhim më të mirë nga vetja, dhe në këtë kuadër modeli ynë duhet të jenë të parët e klasës, vendet e zhvilluara. Duhet të përpiqemi që t’i ngjajmë këtyre vendeve dhe organizimi jonë t’u ngjajë atyre. Kur një investitor gjerman të vijë këtu, nuk duhet të gjejë një realitet të njëjtë me Greqinë, duhet t’i tregojmë që ne po bëjmë çmos që t’i ngjajmë vendeve të përparuara. Dhe kështu jam shumë i sigurt që të huajt do të vijnë të ndërtojnë uzina, bujqësinë e turizmin. Na duhet ndihma e këtyre njerëzve që të zhvillohemi ekonomikisht.

Dritare.net- Rikthehemi pak në kohë, fëmijëria juaj ka qenë me iluzione për të qenë një sipërmarrës apo keni pasur dëshira të tjera për veten?

Ëndrra ime ishte të bëhesha mjek, pasi babai im ishte doktor. Por kur mbarova shkollën 8-vjeçare, motrës sime të madhe i doli e drejta për inxhinieri. Atëherë kishte një rregull që, nëse fëmijës së parë, kur prindërit janë mjekë, i del një shkollë e lartë, fëmija i dytë ishte i detyruar që të vazhdonte në bujqësi, ushtri ose minierë. Prindërit më drejtojnë për në shkollën e mesme industriale. Më pas, më doli shkolla për inxhinieri mekanike dhe kur isha në vitin e dytë, dërgonin studentë në Francë e ndër të zgjedhurit isha edhe unë.

Një adoleshent në qiellin e hapur në një shtet shumë larg vendlindjes, arma e vetme që zotëroja ishte dëshira për të mësuar e për t’u rikthyer në Shqipëri, pasi zona e Kombinatit në Berat kishte nevojë për ide revolucionare. Në 1989 më ofrohet punë si pedagog në Universitetin e Tiranës, por dëshira për të përmirësuar gjendjen në qytetin e lindjes nuk ishte venitur e as entuziazmi. Pa plotësuar një vit, kuptova që gjendja ishte e pamundur në Shqipëri dhe për arsye politike rikthehem në Francë në ’90.

3

Dritare.net- Çfarë ka ndryshuar që prej asaj kohe? Cila është ëndrra juaj tani?

Ëndrra ime është e njëjta, të zhvilloj aktivitete industriale në Shqipëri dhe të arrijë një ditë, që të jetë një firmë shqiptare ajo që do të blejë një të huaj. Është me shumë rëndësi të vërtetoj që balta që ne kemi këtu, është e njëjtë me atë në Evropën e zhvilluar. Me këtë baltë ata bëjnë vepra arti, ne jemi akoma larg nivelit të tyre. Unë nuk dua që ne të jemi gjithmonë të fundit e Evropës.

Dritare.net- Si ka qenë rrugëtimi në Francë për t’u bërë një prej sipërmarrësve më të suksesshëm?

Kur u riktheva në Francë, gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri, fillova punë si kërkues në fushën e kimisë në një prej grupeve më të mëdha në atë kohë, Rhône Poulenc’. Më pas, me shumë punë, kaloj në drejtimin e uzinave, këto të fundit në prag falimentimi apo në gjendje shumë të keqe. Unë shkoja dhe i menaxhoja për t’i bërë funksionale. Më komunikonin përgjegjësitë dhe më thoshin që nëse do i rimëkëmbja ato, do të ishin të miat. Kjo gjë më ka sjellë sot, ku unë zotëroj 4 sipërmarrje private në fushën e tekstileve teknike në Francë. Pra kam kaluar disa faza, shkencëtar, menaxher dhe më pas në pronar ndërmarrjesh.

6

Dritare.net- Përveç Shqipërisë dhe Francës, ka vende të tjera ku ju keni investuar?

Jo, nuk kam investuar pasi qëllimi është të rris bazën industriale në Shqipëri, duke bërë kërkime e studime në Francë. Nuk mund ta bëjmë Shqipërinë si Franca, duhet të nisemi nga anët tona të forta e të marrim ato elementë pozitivë nga Franca e t’i adaptojmë në realitetin tonë. Kam një lidhje me të dyja shtetet, pasi nga Shqipëria kam gjakun, vendi im, ndërkohë në Francë kam fituar kulturën dhe edukatën.

Dritare.net- Si është gjendja e sipërmarrjeve në Shqipëri dhe si duhet të jetë sipas këndvështrimit tuaj?

Në Shqipëri duket se ka dëshirë, potencial, por nuk ka një mbështetje në modelin e duhur ekonomik. Për mua, një projekt industrial i suksesshëm, duhet t’i adaptohet realitetit shqiptar, por të ketë një këmbë edhe në realitetin evropian, atë të zhvilluar. Kjo martesë bën që sipërmarrja të ketë shumë mundësi për të qenë fitimprurëse, dhe jo vetëm në anën monetare, por edhe në përthithjen e vlerave. Modeli ekonomik që unë ndjek këtu është ajo që ne në Francë e quajmë ‘patriotizmi ekonomik’, ku në radhë të parë, të ardhurat i realizon vetëm nëpërmjet eksportit. Ne eksportojmë në Evropë, kryesisht Francë, Gjermani, Itali.

2

Dritare.net- Cila është rëndësia e eksportit në paralelizëm me importin?

Me eksportin unë pasuroj Shqipërinë, duke i sjellë këtu paratë e të huajve. Eksportet janë si të ardhurat në familje, kurse importet janë si harxhimet.

Dritare.net- Ka një moment gjatë karrierës suaj që do e veçonit si më të veçantin dhe kënaqësia që përftoni pas një dite pune?

E veçantë është lidhja ime me vendlindjen, e unë deri në fund do përpiqem për Shqipërinë dhe Beratin, të realizoj ato që kam mundësi. Momentalisht në Berat jemi duke bërë prova për prodhim pecetash e mbulesa tavolinash, që shkojnë në Buckingham Palace, për Mbretëreshën Elisabet. Kjo për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Nuk më pëlqen termi biznes, as veten nuk e quaj biznesmen. Jam një sipërmarrës në fushën e industrisë që nuk ka lidhje me formën tradicionale të tregtisë ‘shes-blej’. Për mua ka një rëndësi shumë të madhe njeriu dhe çelësi është të gjesh një alkimi midis njeriut, teknologjisë, furnitorëve dhe klientëve, për të lidhur të gjitha elementët dhe nxjerrë rezultate pozitive për të gjithë aktorët e një aktiviteti.

5

Dritare.net- Cili është inspirimi dhe a ka një model që e ndiqni?

Nënë Tereza më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, më ka inspiruar në çdo moment, ajo është ‘Perëndesha e dashurisë’. Në një moment të jetës sime doja t’i lija studimet e t’i futesha teologjisë, por nuk i vazhdova pasi unë e pëlqeja shumë jetën. Prandaj dimensioni social, njerëzor është shumë i fortë në kulturën time dhe ideologjinë që unë ndjek. Asnjë lloj aktiviteti nuk do kishte kuptim nëse rezultati i fundit nuk do t’u shërbente njerëzve.

Dritare.net- Çfarë do i thoshit sipërmarrësve të rinj në Shqipëri, me qëllim që të kenë sukses?

Të jenë krenarë për vendin e tyre, pavarësisht vështirësive që mund të hasin. Të jenë gjithnjë në dijeni të tendencave të teknologjisë e tregut, dhe të adaptohen sa më shpejt me to. Të kenë eksportin në qendër të strategjisë së tyre, pasi Shqipëria është treg i vogël dhe me fuqi blerëse të kufizuar./dritare.net

Related posts