Grabitja në Kuçovë, kryefamiljari: Djali më tha se po vinin grabitësit

Grabitja në Kuçovë, kryefamiljari: Djali më tha se po vinin grabitësit

Flamur Shpata, personi i cili i mbeti i plagosur një ditë më parë, pasi dy persona hynë në banesën e tij për ta grabitur, ka folur për Report Tv.

Nga një shtrat i spitalit Rajonal të Beratit, ku po merr mjekim pasi është plagosur gjatë ngjarjes, ai thotë se e ka lajmëruar djali e tij se dy persona do të shkonin për ta grabitur.

“Unë isha në dhomën e gjumit, për të fjetur. Ora kishte kaluar 2:00. Më vjen djali edhe më thërret: O ba hajdutët po të vjedhin. Ngrihem dhe dal në oborr. Ishin dy hajdutë. Që të dy i njihja, por në momentin e ngjarjes ishin me maska. Djali kishte dalë dhe po kthehej në shtëpi dhe pa hajdutët që kishin hyrë. Ata ndjenë djalin dhe dolën nga banesa. I kapëm në oborr. Në momentin kur isha vetëm një metër larg prej njërit prej tyre, ai u kthye dhe më qëlloi me kallashnikov. Unë u plagosa, por ia morra kallashnikovin. Unë u përlesha me një, ndërsa djali me tjetrin”, thotë Flamuri, i cili tregon se arritën të neutralizonin dy autorët dhe më pas lajmëruan policinë.

Flamuri thotë se është plagosur në gishtin e madh të dorës së majtë dhe pranë veshkës, si pasojë e shkrepjes së automatikut.

Dy personat të cilët kanë tentuar të grabisin banesën e familjes Shpata, janë 43-vjeçari Artur Polovina dhe 50-vjeçari Ismet Kumria, të dy të arrestuar.

50-vjeçari mësohet se ka mbetur i plagosur gjatë përleshjes dhe ndodhet në spital, nën vëzhgimin e forcave të policisë. Pas ngjarjes, policia gjeti në serën pranë banesës së Polovinës, 207 rrënjë kanabis me një lartësi 120-160 cm të larta, njoftoi dje policia.

Related posts