Islam Vrioni, një nga pionierët e shkollave shqipe

Islam Vrioni, një nga pionierët e shkollave shqipe

bedri-telegrafi

Nga Bedri TELEGRAFI-

Më 17 prill të vitit 1941 në moshën 76-vjeçare vdiq në fshatin Çiflik të Lushnjës, atdhetari dhe një nga pionierët e shkollave shqipe të Beratit, Islam Vrioni.

Qeveritarët dhe shtypi i kohës e kaluan në heshtje dhe me indiferentizëm këtë ngjarje jo të zakonshme, ndërsa populli i Beratit dhe qarqet patriotike shqiptare e përjetuan me dhimbje.

Katër muaj më vonë, studenti i Medresesë së Përgjithshme, Vexhi Buharaja ngriti zërin e protestës kundër indiferentizmit dhe shpërfilljes ndaj kësaj figure të shquar.

“Islam Beu, shkruante autori në njërën ndër gazetat e kohës, u harrua si edhe patriotët e tjerë, lëre qeverinë, po të ashtuquajturit shkrimtarë mendjelehtë, si nuk gjetën aq kohë saqë t’i kushtonin pendën e tyre veprës së tij. Jeta e Islam Beut është jeta e një patrioti të vlefshëm jete plot përpjekje, vuajtje, therori e veprime të gjalla për të mirën e atdheut që i fali jetën dhe bukurinë e shpirtit. Islam Vrioni i pastër shpirtërisht ishte simboli i një veprimi të paprerë dhe i një ideali të lartë.

Jeta shprehet me idenë dhe ideja me jetën për të lindur idealen e lartë. Le ta ndjekim patriotin e shquar të Beratit në udhën e jetës së tij të ëmbël për çështjen shqiptare. Ndiqeni Islam Beun dhe do ta gjeni herë duke u përfytur për çështjen e shqipes, herë në shtëpi të futura duke iu mësuar shqipen djemurisë së asaj kohe bashkë me Babë Dudë Karbunarën; herë në vuajtje, herë në male, herë në mbledhje e kuvende së bashku me Dërvish Himën, Aqif Elbasanin, Ali Korçën etj.”

Dy vjet para vdekjes, Islami e kish porositur Vexhinë: -Dëgjo, biri im! Dashuria për Atdhe është një instinkt natyror që s’mund të ndahet nga njeriu. Njeriu me këtë lind, me këtë rron dhe me këtë vdes.

Kjo moto e kish frymëzuar, drejtuar, udhëhequr dhe i kish dhënë forca titanike shpirtërore Islam Vrionit në vazhdimësi e në çdo sferë të jetës.

Në vitin 1875, në Berat, u takuan dy burrat e mëdhenj të kombit, Kostandin Kristoforidhi dhe Hasan Tahsini, që së bashku me patriotët beratas shqyrtuan mundësinë për fillimin e mësimit të gjuhës shqipe. I ati i Islamit, Asllan Vrioni, vuri në dispozicion të Babë Dudës një dhomë të shtëpisë së tij në lagjen Murat Çelepi, ku filloi të marrë mësimet e para të shqipes edhe djaloshi Islam Vrioni.

Mbas Kongresit të Berlinit, çështja shqiptare vihet në pikëpyetje dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit inicioi dhe frymëzoi protestat e mbarë shqiptarëve për mbrojtjen e çështjes kombëtare.

Edhe pse i vogël, 13-14 vjeç, Islam Vrioni mori pjesë në mbledhjet dhe mitingjet masive që organizoi Dega e Lidhjes së Prizrenit nën drejtimin e patriotëve Mehmet Ali Vrioni dhe Dhimitër Kolea. Këto mitingje e protesta si dhe gjithë veprimtaria politiko-ushtarake e Lidhjes lanë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e formimin e tij si patriot dhe veprimtar i lëvizjes për arsimin kombëtar. Në moshën 18-vjeçare ai filloi t’u mësonte fshehurazi fëmijëve beratas të lexonin e të shkruanin gjuhën amtare me alfabetin e Stambollit.

Të përkushtuar e të angazhuar tërësisht ndaj kësaj çështjeje e gjejmë përsëri atë në gusht të vitit 1908, në hapjen e dy shkollave shqipe në qytetin tonë, përsëri përkrah Babë Dudës e Sulo Resulit. E shohim si mësues në shkollën pranë Kullës së Sahatit në lagjen Murat Çelepi. Ish-nxënësit e tij që kanë jetuar deri në vitet 60-70, flisnin për pasionin e tij dhe që paralel mësimdhënies, zhvillonte punë edukuese në drejtim të brumosjes së tyre me ndjenja atdhetare. Në vitet 1900 deri në shpalljen e pavarësisë, kur lufta për gjuhën e kulturën kombëtare pasohet nga veprimet ushtarake me armë në dorë, Islam Vrionin e gjejmë përsëri në aktivitet intensiv.

Në përgjigje të Komitetit të Shqipërisë themeluar në Manastir me kryetar Bajo Topullin, edhe në Berat krijohet një degë e këtij komiteti, i cili organizoi furnizimin me armë e municione luftarake të çetave që luftonin për liri në krahinat e Beratit dhe Oparit, por pa ndërprerë punën e tij për Shkollën Shqipe. Gjatë kësaj periudhe shtëpia e Islamit u bastis disa herë nga autoritetet osmane. Në vitin 1911, ai rrëmbeu pushkën e doli maleve duke vendosur lidhje e bashkëveprim me çetat e patriotëve të Oparit, Skraparit dhe Elbasanit. Me qëllim përhapjen e flakëve të kryengritjes edhe në Shqipërinë e Jugut, më 22 korrik 1912, në përgjigje të Kuvendit të Grecës, u mbajt Kuvendi i Sinjes, i cili ndriçoi dhe i dha hov gjithë veprimeve luftarake në Shqipërinë e Jugut duke vendosur lidhje dhe bashkërendim me veprimet luftarake që zhvilloheshin në Shqipërinë e Veriut.

Islam Vrioni ishte një ndër nismëtarët kryesorë për mbajtjen e këtij kuvendi. Atij iu ngarkua detyra e komandantit të çetave për të siguruar rrugëkalimet nga do të vinin 49 delegatët e këtij kuvendi si dhe për të thyer përpjekjet e forcave osmane në pengimin e zhvillimin të kuvendit dhe arrestimin e delegatëve të tij. Në emër të kryengritësve të Jugut dhe me cilësinë e zëv/kryetarit të kryengritjeve në këtë rajon, më 8 gusht 1912, nga qyteti i Fierit që ndodhej në duart e kryengritëse, ai u dërgon telegrame komiteteve të Shqipërisë së Veriut, ku njofton se në Jug kryengritja ishte e organizuar mirë dhe populli ishte ngritur në luftë e do e vazhdonte atë deri në çlirimin e gjithë vendit për të cilin ai dha kontributet e veta deri në shpalljen e pavarësisë. Mbas ngritjes së flamurit në Vlorë, ai, në udhëheqje të patriotëve beratas, ngriti në sheshin qendror të Beratit flamurin kombëtar pa përfillur kundërshtimet e prefektit dhe të komandës së armatës turke.

Në aktivitet të plotë e gjejmë Islam Vrionin për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Në vitin 1914 ai zgjidhet nga populli i Beratit komandant i vullnetarëve që luftuan për mbrojtjen e qytetit nga bandat shoviniste greke, që zhvilluan dy inkursione ndëshkimore kundër popullsisë. Në vitin 1915, ai e cilësoi Esat Pashën si tradhtarin më të madh në historinë e popullit shqiptar. Me hyrjen e forcave esadiste në qytet, agjentët e Pashait famëkeq u përpoqën ta shtinin në dorë e dënonin rreptësisht patriotin beratas e në pamundësi të realizimit të këtij qëllimi, e dënuan me vdekje në mungesë.

Në situatat e reja të Luftës së I Botërore dhe mbas Kongresit të Lushnjës, Islami renditet e vepron aktivisht në krah të forcave demokratike përparimtare, pjesëmarrës dhe nismëtar i mitingjeve madhështore të zhvilluara për mbrojtjen e çështjes dhe tërësisë së tokës shqiptare. Në vitet 1920, me iniciativën dhe nën drejtimin e Islam Vrionit filloi të botohej në Berat gazeta “Ideja Kombëtare”. Duke qenë e para gazetë e botuar në Berat, ajo luajti rol të rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare.

Si kryetar bashkie në vitin 1924, ai foli para popullit të qytetit të mbledhur në një miting dhe mbështeti fuqishëm fitoren e forcave demokratike. Mbas vitit 1924 ai tërhiqet nga politika, jo se i shteruan energjitë, jo se i mungonte dëshira për t’i shërbyer atdheut, por sepse ngjarjet morën zhvillime e drejtime që binin në kundërshtim me aspiratat dhe mentalitetin e tij si demokrat përparimtar. Ai inspironte një shoqëri ku të sundonte drejtësia hyjnore.

Në periudhën pasuese e deri në fund të jetës ai vazhdoi t’i shërbejë popullit dhe atdheut në fushën e dijes. Për këtë qëllim ai shfrytëzoi njohuritë e thella që kish marrë në fakultetin e shkencave politike të Stambollit. Ai gjithashtu ishte njohës i mirë i shumë gjuhëve të huaja (arabisht, turqisht, persisht, greqishte e vjetër, frëngjisht), siç ishte po ashtu njohës i thellë i filozofisë, i artit dhe literaturës së tyre, njohës i mirë i filozofëve dhe njerëzve të letrave si Platoni, Sokrati, Ibn Rushdi (Averroes), Farabiu, Konti, Sadiu, Firdeusi; hulumtues dhe studiues i Nezim Beratit, Sulejman Nebiut, Omer Sadiut (që të tre beratas), Deradës, Naimit, Fishtës, Ali Asllanit, Lasgush Poradecit etj. Dijet e tij në këto fusha i vuri në shërbim të lexuesve shqiptarë. Si letrar ai shkroi prozë artistike me elegancë e shpirt artisti. Nëpërmjet vjershave satirike mbante qëndrim kritik ndaj ksenofobisë që karakterizonte disa shqiptarë të shkolluar jashtë vendit.

Islam Vrioni renditet ndër penat më të fuqishme që ka shkruar nëpër faqet e revistave islame të kohës si “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Në shkrimet e tij ai bashkon ndjenjën e atdhetarisë me atë të besimit islam. Argumenton se besimi islam i bashkoi, i qytetëroi, i kulturoi dhe i arsimoi shqiptarët. Mbi të gjitha argumenton se ky besim ngjizi në shpirtin e shqiptarëve dashurinë për atdhe nën moton se kjo dashuri vjen nëpërmjet besimit.

Ndaj jetës dhe veprës së Islam Vrionit u hesht dhe vazhdoi të heshtej gati prej 60 vitesh. I biri i tij, Memdui, që e trashëgoi veprën e tij nuk mundi ta publikoi. Ai vdiq në kampet e diktaturës duke punuar moçaleve të Tërbufit dhe Maliqit. Vepra dhe jeta e Islam Vrionit ende mbetet një visar i hedhur në fund të një oqeani. Jo rastësisht jetën dhe veprën e tij për 60 vjet e mbuloi pluhuri i heshtjes dhe i harresës.

Nëpërmjet këtij shkrimi bëhen përpjekje modeste për të hequr sadopak nga shtresa e trashë e këtij pluhuri.

 

 

Related posts