Kafka pas luleve

Kafka pas luleve

Balil Gjini

Gjithmonë kam qenë i bindur se pas çdo bukurie skërmitet një kafkë e shëmtuar, e cila i kujton asaj përkohshmërinë, pas çdo tufe me lule gjendet kryqi i një varri, pas çdo burbuqeje dhe sythi peme rrinë kërcënues dhëmbët e një vemjeje. Kjo është jeta dhe njeriu bën ç’është e mundur ta zbrazë gotën e zezë të pikëllimit dhe ta mbushë atë me sadopak shkumë të bardhë hareje. Pikërisht gjëra të tilla m’u kujtuan kur kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, në prag të festave të fundvitit (lulet) u dërgoi me dhjetëra e dhjetëra punonjësve kontratat e reja dhe menjëherë pastaj shkarkimin nga puna (kafka). Midis tyre edhe drejtorit të Galerisë së Arteve, Nezir Ago, skulptor i njohur, për ta zëvendësuar me një muzikant (!) radhiko.

Rasti në fjalë, është pikërisht ai gur arrogance i hedhur mbi dëborën e indiferencës sonë shoqërore vite e vite më parë, por që gjatë rrugës, duke mos gjetur diga t’i presin hovin, është bërë ortek i madh, duke shkallmuar gjithçka i ka dalë përpara: norma, rregulla, tarbiete, gjersa ka ardhur ky çast kur të gjithë ngremë shuplakat e duarve përpjetë si flamuj të bardhë falimentimi. Ushtruesit e kësaj dhune (s’ka poshtërim më të madh për njeriun sesa ta flakin nga puna sikur të ishte një zhele) me siguri kanë probleme me personalitetin dhe vuajnë nga impotenca, apo paranoja.

Tej propagandës dhe shembullit në fjalë duhet thënë se dhuna është brenda natyrës së njeriut, se tek ajo ka diçka që e kapërcen kulturën dhe qytetërimin, se ka diçka nga joshja e djallit, siç e shpjegon mjaft mirë Kiergegardi me rastin e Tritonit dhe Agnesit. Po ashtu Ciorani, duke shpjeguar mizoritë e Xhingis Khanit, thotë se mizoritë e mëdha nuk janë banale, se ky perandor mongol që ndërtonte kafka me koka të vrarësh, mbante pranë ushtrisë një nga dijetarët më të mëdhenj taoistë. Në dobi të këtij argumenti mund të përmendim Shteinerin, që thotë se bibliotekat, muzetë, teatrot, mund të lulëzojnë fare mirë me kampet e përqendrimit. Po kështu, shija letrare dhe ndjeshmëria estetike mund të bashkëjetojnë tek i njëjti njeri me prirjet barbare dhe sadizmin e ndërgjegjshëm. Shembull?…Hans Franku, i cili drejtoi famëkeqen “zgjidhja përfundimtare” të fashizmit, ka qenë njohës shumë i mirë i Bach-ut dhe Moxart-it. Pikërisht duke i ditur këto, shoqëria merr masat e veta profilaktike: zgjedh njerëz pa komplekse në krye të punëve të veta, harton rregulla e ligje të cilat janë edhe mëgojëzat që i vihen bishës (!) në turinj

Sigurisht lartësi, apo humnera kaq të thella skëterrore, nuk mund të parafytyrohen nga një njeri si kryetari i bashkisë së Beratit, që deri para ca vitesh fitonte para si frat duke shpërndarë nga një pjatë gjelle falas për fakirfukarenj nga kisha ungjillore. Jo, zogu i interesave të tij është një harabel fushe, që fluturon ulët dhe i mjaftojnë koçekët me misër të katundit dhe… krushqia me Metën.

Është i çuditshëm raporti i individit me pushtetin. Njerëz pa vlera, që u ka rënë në duar kutia magjike e pushtetit, pasi e kanë hapur dhe janë mahnitur prej saj, kanë gjetur kyça e munxa për t’i mbyllur sa më fort thesaret e kësaj kutie. Ata e dinë me intuitë se ky pushtet nuk rritet me fitore të lehta, ndaj duhet të ngjallë frikë dhe tmerr. Sa më shumë viktima, aq më shumë edhe tmerr. Ushtritë visigote kur kalonin rrugës varnin nëpër pemë kë t’iu dilte përpara. Kështu duhet kuptuar edhe numri i madh i të shkarkuarve nga Petrit Sinaj. Këta të shkarkuar, në njëfarë mënyre, duhet t’i përfytyrojmë si kurbanë të varur në pemët e parkut të Beratit, që me pamjen e tyre duhet të lebetitin këdo që kërkon të bëzajë, të kritikojë bashkinë, apo administratën.

Në dhunën e ushtruar tek ne ndihet aroma cuknisëse e dhunës së diktaturës, dhe shumë herë ajo është pinjolle e drejtpërdrejtë e saj. Kundërshtimi ndaj këtyre diktaturave që s’ka arritur dot t’i çrrënjosë ato, qoftë dje, qoftë sot, bëhet pjesë e tyre integrale, diçka e rrezikshme, me trajta e forma të allasojta. Kështu mund të shpjegohet një heshtje e shenjtë varrezash e atyre që i quajmë intelektualë, jo vetëm për rastin në fjalë, por për gjithçka makabre që ngjet në këtë vend jallan. Në shumë raste, kjo heshtje është këmbyer me sende e objekte që gjenden në sininë e turpit. Dhuna e diktaturave lind sadomazohizmin. Sartre, duke qenë plotësisht në delir nga propaganda komuniste, thotë se kjo dhunë është si shigjeta e Akilit: shëron duke plagosur. Më kanë folur për një të burgosur kronik, i cili, pas viteve ‘90, kur burgu ishte shembur, rrinte aty dhe vajtonte… lirinë. Ky fenomen, mjaft i përhapur tek ne, nuk është gërryer nga shoqëria. A ka gjasa që fantazma e dhunës diktatoriale, ashtu e armatosur me pranga, munxa, e tela me gjemba, të ketë shëtitur këmbëzbathur korridoreve të bashkisë, dhe, ashtu si fantazma e Makdafit tek Makbethi, i është afruar pastaj tryezës së kryebashkiakut dhe i ka pëshpëritur ëmbël te veshi “Gëzuar Petrit, o than i Beratit! Gëzuar Petrit, që nesër bëhesh mbret!”. Bah! Po edhe mundet.

Siç mund të shihet, kjo “mundet” ecën në asfaltin e këtij ligjërimi me dy paterica nën sqetull, sepse kryetari i bashkisë s’është nga ato qenie që blegërijnë të lumtura tek oborri i partisë. Jo. Është aty për të tjera “punë”. Një nga këto “punë” është të shkulë me gjithë rrënjë qytetarët e këtij qyteti, ata që s’votuan për të. Ai të kujton mbretin e Indisë Tunglaku, për të cilin na flet Canetti, i cili vendosi që qytetin e Delfit ta bënte gërmadha. Ta bënte sepse banorët e tij i hidhnin letra ku e shanin dhe e mallkonin. Në vend të tyre solli banorë nga qytetet e tjera, ashtu siç kërkon të bëjë kryetari i bashkisë, duke e populluar Beratin me fshatarë. Duke i dëbuar të tjerët, vjen çasti magjik i të qenurit i vetmi, ëndrra ogurzezë e të gjithë sundimtarëve.

Më lart thamë se filozofia e dhunës është shumë komplekse dhe ajo s’mund të bëhet pa shpjegimin e njeriut si qenie, këtij projekti të lënë përgjysmë prej Zotit, siç thotë Kundera. Ne e dimë fare mirë se tek njeriu veprojnë në luftë me njëra-tjetrën toka (balta prej së cilës është mbrujtur) dhe qielli (shpirti), instinktet dhe mendjen, perëndia me djallin, gjëra këto që i shpjegojnë fare mirë edhe librat e fesë. Dhuna është hakmarrja e trupit mbi mendjen, e bishës mbi të qytetëruarin. Kryetari i bashkisë, duke ardhur nga një bashkësi fetare, duhej të shfaqte frymën dhe mistikën e kësaj bashkësie, pra blegërimën e butë të qengjit të humbur të kopesë, dhe jo hungërimat e bishës, të vinte drejt njerëzve që e votuan me gjërat e buta të qytetërimit (pupla, pendë, mëndafsh) dhe jo me gjërat e vrazhda të barbarisë (zhguaj, kthetra, thonj).

Fatkeqësisht, ai ka zgjedhur të jetë kafka që zgërdhihet pas luleve, dhe jo vetë këto lule.

Gazeta Mapo

Related posts