“Me Xhymertin” – libri i ri i Namir Lapardhasë

“Me Xhymertin” – libri i ri i Namir Lapardhasë

“Me Xhymertin” është libri më i ri i hedhur në treg nga autori Namir Lapardhaja.

Ky libër është shkruar në formën e një “ditari” dhe më tepër se sa një rrëfim është një dialog me Vetveten.

Libri “Me Xhymertin” ka qenë i përzgjedhur për diskutim në emisionin “Dita Jonë” të gazetarëve Aulona Minga dhe Blendi Salaj në A2 televizion, ku për të folur për librin ka qenë i ftuar kritiku letrar Agim Baçi.

Për Agim Baçin, “Me Xhymertin” nuk është mirëfilli një roman, por një nga ato vepra të letërsisë së angazhuar, një lloj këndvështrimi që ka të bëjë me autoironinë.

Libri, sipas tij, merret me gjërat rreth e rrotull tij, më gjërat që na shqetësojnë të gjithëve dhe që të gjithë i ndeshim. Sidomos në këtë libër ai merret me një njeri, i cili, pavarësisht se është në periferi, e gjykon politikën me metrin e vetë. Për të bota është aq sa di ai.

Personazhi i kësaj vepre është një person që ëndrron të merret me politikë dhe ëndërron që të vijë partia e vetë,pastaj është raporti me vetveten, një shaka e madhe. Duket sikur është për të qeshur, por, në fakt, aty duhet të qajmë.

Mesazhi i veprës, sipas kritikut Agim Baçi, është se në qoftë se njerëzit nuk dalin nga ai zhgualli i vogël i vetvetes dhe nëse nuk shohin përtej, nëse nuk shohin gjërat rreth e rrotull qytetit të tyre, në qoftë se nuk shikojnë marrëdhëniet me tjetrin dhe në qoftë se janë vetëm piktura të vogla të dëshirave të tyre ne do kemi gjithmonë e më pak dëshirë për të jetuar me të tjerët, sepse njerëzit fillojnë e zvogëlohen.

Alarmi që sjell Lapardhaja me këtë libër është pikërisht kjo gjë: kur ti mendon që botën mund ta shpjegosh vetëm nëpërmjet vetes.

Ndërsa Shpëtim Doda, studiues dhe redaktor i librit, shprehet kështu në pasthënien e librit: “I shkruar ne formën e një “ditari”, ky libër, më tepër sesa një rrëfim, është një dialog me Vetveten, e cila skicohet në trajta dhe në pozicione të ndryshme, në varësi të funksionit që luan në këtë rrëfim-dialog si i tërë, duke u shfaqur herë si Identitet që lipset të njihet, të korrigjohet e të kultivohet; herë siTjetri që gjallon brenda nesh e që lipset të mbahet vesh; herë si tension zërash rrëfimtarë, pikëpamjesh e qasjesh etike dhe gjendjesh e reagimesh psikike, dhe herë si “thjerrëz skopike” drejtuar ndaj ngjarjeve dhe zhvillimeve politike e shoqërore, të paraqitura shpesh përmes një humori dhe një ironie të hollë, e përdorur jo pak herë si “bisturi”, e cila nuk kursen as Vetveten, madje pikëniset prej saj. Si i këtillë, është një libër që kufizohet përjashtimisht vetëm tek ata lexues që tashmë e kanë gjetur Vetveten, apo janë ende në kërkim të saj.”

Related posts