Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, flasin juristët: Kjo situatë vë në dyshim ekzistencën e demokracisë

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, flasin juristët: Kjo situatë vë në dyshim ekzistencën e demokracisë

Në një intervistë në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur se një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa Kushtetutë.

“Të paktën për Gjykatën Kushtetuese, nuk mund të pranoj ndërkombëtarë të papërgjegjshëm, që mund të thotë se do të bëhet kështu, dhe do të bëhet ashtu! Si mund të flasin këta kështu?! Ku ndodh në një vend të Bashkimit Europian që të rrijë vendi qoftë edhe një minutë pa Gjykatë Kushtetuese?! Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa Kushtetutë! Kjo duhet të jetë një gjë e qartë”, shprehet Meta.

‘A2 CNN’ ka pyetur juristët se çfarë ndodh në një vend ku Gjykata Kushtetuese nuk funksionon?

Avokati Alfred Duka shprehet se situata vë në dyshim ekzistencën e demokracisë.

“Praktikisht një vend pa Gjykatë Kushtetuese do të thotë në mungesë të plotë të demokracisë. Sado demokratë të jenë drejtuesit e institucioneve shtetërore ata kanë tendencën natyrore të tyre për t’i zgjeruar kompetencat e tyre tej parimeve dhe tej kufijve demokratikë, në mbrojte të të cilave del Gjykata Kushtetuese”, thotë Duka.

Avokati Arianit Roshi thotë se rendi demokratik në vend shihet si i rrezikuar.

“Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet drejtpërdrejt me funksionimin ose jo të demokracisë. Lidhet me parimin e ndarjes së pushteteve sepse, normalisht, është Gjykata Kushtetuese ajo që garanton mbivendosjen e kompetencave të pushteteve të ndryshme. Me rënien e Gjykatës Kushtetuese bie kontrolli Kushtetues dhe më rënien e kontrollit kushtetues demokracia është në rrezik”, shprehet Roshi.

Avokati Isuf Shehu thekson se një Kushtetuese jashtë funksionit lë të pambrojtur qytetarët ndaj ligjeve anti-kushtetuese.

“Juridikisht ne e kemi Gjykatën Kushtetuese, por nuk kemi gjyqtarë. Do të thotë që ne nuk mundemi ta anashkalojmë, ose individi të paktën, t’i drejtohet institucioneve të tjera siç është Strasburgu. Ne nuk mundemi dot as të mbrohemi nga ato ligje, që nëse miratohen nga Parlamenti me shumicë absolute apo shumicë të thjeshtë nuk mund të kundërshtohen si anti-kushtetues. Nga bllokimi i saj në maj 2018, kur nuk e kishte më të mundur të formonte numrin minimal të nevojshëm të gjyqtarëve për të zhvilluar gjyqe, në Kushtetuese janë depozituar 81 ankime”, thotë Shehu.

Related posts