Përmisimi i gjendjes në vend-depozitimin e mbetjeve në Kuçovë, Qendra mjedisore “EDEN” mundëson dialogun mes bashkisë dhe banorëve

Përmisimi i gjendjes në vend-depozitimin e mbetjeve në Kuçovë, Qendra mjedisore “EDEN” mundëson dialogun mes bashkisë dhe banorëve

Nga Erjola AZIZOLLI* –

Për gati dy orë përfaqësues të Bashkisë së Kuçovës dhe banorë të këtij qyteti kanë dialoguar sëbashku në lidhje me një problematikë tepër të rëndësishme, siç është ajo e mbetjeve urbane. Tryeza e takimit, pjesë e projektit “E drejta e informimit-Forca qytetare për të luftuar ndotjen mjedisore nga keqmenaxhimi i mbetjeve urbane” që po zbatohet nga Qendra Mjedisore “EDEN”, mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, bëri bashkë për herë të parë insitucionin vendor përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve dhe banorët e prekur nga ky problem.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i banorëve në lidhje me gjendjen aktuale të vend-depozitimit të mbetjeve, paraqitjen e planeve nga ana e bashkisë, që ajo ka për vend-depozitimin dhe forcimi i urave të komunikimit midis dy aktorëve.

Sami Veliu, jeton shumë pranë vend-depozitimit të mbetjeve në ish UPN, në qytetin e Kuçovës. Veliu, ka lënë mesditën e së enjtes të gjitha punët e tij të përditshme dhe është bërë pjesë e një dialogu me bashkinë, ku është diskutuar për problemin e mbetjeve urbane.

Rreth të 60-ve burri, duket plotë shpresë se më në fund do të mund të dëgjojë ballë për ballë përfaqësuesit e Bashkisë së Kuçovës, në lidhje me një problem shumë të madh siç është për të dhe qindra banorë të zonës, vend-depozitimi i mbetjeve.

“Është hera e parë që ne si banorë të zonës dhe bashkia ulemi në një takim për problemin e mbetjeve, që ka vite që na shqetëson. Shumë herë e kemi ngritur zërin për problemin, por askush deri më sot nuk na ka vënë përballë me njerëzit përgjegjës, ndaj unë dhe bashkqytetarët e mi kemi ardhur në këtë takim, duke lënë çdo punë tjetër”, thotë Veliu.

Ai është një ndër 40 banorët që ndoqën me mjaft interes takimin dialog të organizuar në mjediset e këshillit bashkiak të bashkisë së këtij qyteti.

Petrit Shyti, drejtor pranë Drejtorisë së Shërbimeve dhe Transportit në bashkinë e Kuçovës, prezantoi planin e punës, pregatitur nga ky institucion për përmisimin e vend-depozitimit të mbetjeve. Shyti u shpreh optimist për zbatimin e këtij plani, i cili pritet të miratohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe më pas ashtu siç është parashikuar një investim i Qeverisë Zviceriane do të mundësojë financimin e tij. 603,807 euro, është vlera e këtij projekti që pas miratimit dhe financimit, do të zbatohen në terren dhe për këtë sipas Shytit, bashkia ka marrë masat e para duke nisur përmisimin e infrastrukturës për në vend-depozitimin e mbetjeve.

Specialisti Shyti shpjegoi në detaje planin e veprimit të bashkisë, i cili parashikon përmisimin e vend-depozitimit aktual të mbetjeve, me rrethimin e zonës, hapjen e sipërfaqjes ku vend-depozitohen mbetjet, drenaxhimin, groposjen e mbetjeve aktuale dhe përcaktimin e një zone të re për mbetje për to.

Ndërkohë që sipas tij, ky projekt është vetëm për përmisimin e situatës aktuale, pasi zgjidhja përfundimtare e problemit do të jetë vetëm ndërtimi i landfilli rajonal, ashtu siç është parashikuar për të pesta bashkitë e qarkut.

Nga ana e tyre banorët e ish “Fermës Partizani” dhe gropa e bitumit, ish UPN, disktutuan rreth gjendjes aktuale të vend-depozitimit dhe ndikimit që ka ky vend-depozitimi për shëndetin e tyre.

Specialisti Shyti i garantoi banorëve se zbatimi në terren i projektit të bashkisë, siguron jo vetëm një cilësi mjaft të mirë të menaxhimit të mbetjeve, por dhe ul ndjeshëm nivelin e ndotjes atje.

Përfaqësuesit e bashkisë së Kuçovës, premtuan se ky institucion do të vijojë komunikimin me banorët nëpërmjet kryeplakut dhe Komisionit Qytetar të Mjedisit për vijimësin e këtij projekti, gjë e cila garanton në të ardhmen funksionimin e urave të komunikimit midis bashkisë dhe banorëve.

Related posts