Projekti “E drejta e Informimit-Forca qytetare…”, vendosen kosha për mbetjet në Kuçovë

Projekti “E drejta e Informimit-Forca qytetare…”, vendosen kosha për mbetjet në Kuçovë

Një projekt që synonte përmirësimin e jetesës së banorëve në Kuçovë, përmes nxitjes së aktivizimit qytetar për uljen e ndotjes shkaktuar nga mbetjet urbane, bëri të mundur vendosjen e koshave në bulevardin e qytetit naftëtar.

Për herë të parë në këtë qytet u bënë bashkë banorët dhe drejtuesit e institucioneve vendore, ku diskutuan rreth projekteve që bashkia ka, me të cilat po punon, për përmisimin e situatës.

Qendra Mjedisore EDEN, bëri të mundur realizimin e këtij projekti, në një qytet si Kuçova, e cila nuk i ka shpëtuar problematikës mjedisore të mbetjeve urbane, si shumë bashki të tjera në vend.

Agimi, një pensionist në qytetin e Kuçovës, ndalon kureshtar në bulevard, ndërsa është nisur drejt banesës së tij, pasi ka konsumuar kafen e paradites me bashkmoshatarët si çdo ditë. Ai është, një ndër qytetarët e shumtë që shohin me mjaft interes punën që Organizata Mjedisore, EDEN dhe punonjës të mirëmbajtjes së bashkisë po bëjnë për vendosjen e koshave të mbetjeve në rrugë.

Aksioni është zhvilluar në ditët e fundit të muajit korrik dhe është mirëpritur nga banorët, të cilët tashmë shohin mundësinë e diferencimit të mbetjeve.

“Prej vitesh në qytet, kryesisht në këtë pjesë rruge vihej re mungesa e koshave”, thotë Agimi. “Nëse, ndodhte që të kishe diçka në dorë duhet të mendoheshe mirë se ku do ta hidhje, sepse koshat e vegjël në qytet, mungonin”, shprehet ai, me shqetësimin e drejtë të një qytetari.

Plotë 10 kosha të vegjël u vendosën në këtë rrugë, në të dy anët e saj. Më tepër se sa një investim për qytetin ky aksion është parë si një mënyrë mjaft e mirë sensibilizuese për të rinjtë, të cilët kështu do të mësohen që ti hedhin plehrat atje ku duhet.

“Tani dhe të rinjtë edukohen më mirë që plehrat nuk vidhen në rrugë, por në vendin e tyre”, thotë Agimi, qytetari që nuk e fsheh krenarinë e trashëguar ndër vite se Kuçova ka qenë një qytet i pastër dhe me kulturë mjaft të lartë qytetare.

Vendosja e koshave në këtë pjesë të qytetit, u kërkua nga vetë banorët e qytetit në takimin që organizata organizoi me ta dhe përfaqësuesit lokalë, të cilët u ulën sëbashku për të diskutuar, dialoguar, rreth situatës së mbetjeve.

Analizimi i situatës në terren me dy vendet e depozitimit të mbetjeve në këtë qytet, në zonën e quajtur ish “Ferma Partizan”, dhe në atë të quajtur “ish gropa e bitumit”, takime me banorët, dhe tryeza e dialogut me këta të fundit dhe përfaqësuesit e bashkisë, ishin disa nga momentet e këtij projekti që organizata po zbaton në këtë qytet prej nëntë muajësh.

“Qëllimi i këtij projektit është të ndikojë në përmirësimin e jetesës së banorëve përmes nxitjes së aktivizimit qytetar dhe përdorimit të bazës ligjore për uljen e ndotjes së shkaktuar nga veprimtaria e vend-grumbullimeve të mbetjeve brenda qytetit”, tha Lira Harkani nga Qendra EDEN.

Ky projekt mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë (SOROS) për herë të parë zbatohet në një qytet si Kuçova, ku problematikat e trashëguara të mbetjeve janë të mëdha.

Fal këtij projekti u dialogua mes banorëve dhe pushtetit vendor, u vendosën ura bashkëpunimi mes tyre për të dialoguar dhe për çështje të tjera, por u mundësua dhe vendosja e koshave.
Tashmë, bashkia pret të realiozojë planin e saj të punës, pregatitur nga ky institucion për përmirësimin e vend-depozitimit të mbetjeve, ndërkohë që banorët kanë më të lehtë të mbajnë qytetin e tyre pastër dhe mundësi më të mira komunikimi me institucionin vendor.

Sot, mjafton të ecësh përgjatë bulevardit për të parë që në tokë nuk gjen as mbetjen më të vogël dhe për këtë banorët nuk ngurojnë të falenderojnë organizatën jo vetëm për vendosjen e koshave, por sepse me aksionin e saj nxiti tek ta reagimin qytetar.

Related posts