Rrëfehet Gersi Arbri, kampion nga fusha në zyrë

Rrëfehet Gersi Arbri, kampion nga fusha në zyrë

received_10210044535815089

Tomori ka mbyllur sezonin e vet në Kategorinë e Dytë në mënyrë të suksesshme me vendin e parë në grupin B, por edhe titullin kampion të kësaj kategorie.

Pas një sezoni të stërzgjatur dhe të vuajtur në këtë kategori beratasit ia kanë dalë mbanë të ringrihen brenda një sezoni.

Një ndër protagonistët më të rëndësishëm të këtij sezoni ishte edhe Gersi Arbri.

Për të sezoni, si kapiten në fushë por përfundoj si drejtues në zyrë por suksesi i arritur i jep të drejtë të festojë tashmë.

Në një bisedë për www.sportal.al shprehet për sezonin e Tomorin dhe kënaqësinë e këtij titulli të festuar në fushë dhe në zyrë. Por nuk harron të sqaroj edhe problematikat e vlerësimët e duhura por sigurisht edhe të ardhmen.

Duket se roli i administratorit e ka ndarë tashmë Gersin njëherë e mirë me futbollin e luajtur.

 

Si ndiheni në përfundimin e këtij sezoni?
Sigurisht i lumtur sepse ia kemi dalë të mbyllim në mënyrën më të mirë një sezon të vështirë dhe aspak normal për Tomorin. Pavarasisht kategorisë ku luajtëm kupat e fituara të japin të njëjtin satisfaksion dhe kjo më bën të ndihem mirë pasi është një motivim më tepër për sezonin e ri.

Kujt i shkon merita e këtij sezoni dhe rikthimit në Kategorinë e Parë?

Futbolli është një sport kolektiv ndaj edhe merita është e të gjithëve që kontribuan për Tomorin. Duke nisur nga presidenti Petrit Sinaj që solli një fytyrë të re menaxhimi edhe në sport. Por edhe stafi i tij në Bashki dhe në Klub që u bënë pjesë e këtij modeli. Po ashtu donatorët që kontribuan, stafi teknik me në krye teknikun Sinella që ka bërë një punë për tu admiruar dhe deri secili prej futbollistëve që ishin pjesë e Tomorit këtë sezon. Por nuk mund të lë pa përmendur tifozerinë e vërtetë beratase që e mbështeti skuadrën edhe në këtë moment të vështirë. Ndërsa të tjerët nuk di nëse kanë dicka për të thënë sot apo për sukseset që presim në vazhdimësi.

Pse zgjodhët të qëndronit në fillimin e sezonit sërish në Berat duke ditur që do të luanit në një kategori kaq të ulët?
Kanë qënë disa faktorët që ndikuan këtë vendimmarrje edhe pse ofertat gjatë verës nuk më munguan për të lëvizur nga Tomori. Si kapiten i ekipit të vjetshëm e shihja si një detyrim moral të qëndroja tek Tomori shtuar këtu edhe detyrimi i familjes që unë përfaqësoj në sportin beratas. Por një shtysë e madhe ishte edhe projekti i ri i Bashkisë Berat dhe kryetarit Sinaj për të marrë vendimin për të qëndruar.

 Sa i vështirë ka qënë për ju ky sezon duke njohur edhe karrirën tuaj të pasur në sportin shqiptar?

Sigurisht ka qënë i vështirë por jo vetëm për mua po për të gjithë ne që u bëmë pjesë e këtij projekti për të ringritur Tomorin ku i takon. Nuk kisha luajtur më parë në këtë kategori dhe madje as e kisha menduar se do luaja por mendoj se ia dolëm në mënyrën e duhur. Pse jo mund të them se edhe në fushë në rolin e kapitenit kam marrë shumë përsipër dhe shpesh kam qënë protagonist në fushë.

Më pas erdhi ndeshja me Naftëtarin, humbja dhe Tomori zbriti në Kategorinë e Dytë ndërsa për disa futbollist pati dënimi duke përfshirë edhe ju. Si u tejkalua kjo situatë?
Pikësëpari dua të them se në filozofinë tonë të fillim sezonit, secilën prej skuadrave e shikonim njësoj, si një rival dhe jo vetëm Naftëtarin. Por ndeshja me ta mori më shumë rëndësi duke parë edhe fundin e sezonit ku këto dy skuadra ishin rivale për të gjithë sezonin. Përsa i përket dënimit tim e shoh të tepruar dhe e kam thënë këtë përherë sepse në karrierën time nuk kisha patur një rast të njëjtë. Ishte një ndërhyrje vetëm sportive ajo imja por që qëlloj të ishte fatkeqe për kolegun tim dhe për këtë kam kërkuar falje. Asnjëherë në karrierën time nuk kam menduar ti shkaktoj dëm një kundërshtari – koleg por futbolli i ka këto dhe e të njëjtën goditje mund ta pësoja edhe unë.

Më pas erdhi emërimi si administrator i klubit. Si erdhi ky vendim?
Ishte një propozim nga kryetari Sinaj që e pranova me kënaqësi duke njohur edhe përgjegjësinë që kishte kjo detyrë. Ashtu, si përmenda edhe më lart duke njohur projektin e ri të Tomorit e shihja më të thjeshtë këtë punë sepse do të kisha përkrahjen e duhur përgjatë kësaj pune. Por sigurisht edhe mbështetja që mora nga familja ime më ndihmoj, si për vendimin e marrë dhe punën e bërë në klub. Madje dua që këtë sukses të arritur t’ia dedikoj familjes time dhe dy djemve të mi.

Cilat ishin vështirësitë që hase pasi more këtë detyrë të re?
Realisht nuk isha fare i painformuar për situatën e klubit pasi edhe si kapiten kisha njohuritë e mija mbi gjendjen. Por kur rashë në kontakt me dokumentacionin kuptova se ishim në një borxh aspak normal për ne në shifrat e tija plot 240 milionë lek të vjetra. Por puna që kishte bërë nënkryetari Blana, si administrator i përkohshëm dhe ajo që po vazhdoj unë ka lehtësuar situatën dhe kemi menaxhuar, si duhet financat e ardhura nga Bashkia që duhet përmendur janë të kënaqshme për ne.

Skudra në janar u formatua, si e menaxhuat këtë situatë?
Disa prej futbollistëve të fazës së parë u larguan në fundin e saj dikush për zgjedhje personale e dikush për zgjedhjen e klubit. Kështu ishte i nevojshëm një formatim i skuadrës që mendoj u bë në mënyrën e duhur dhe kemi rezultatet e sotme. Duhet vlerësuar edhe tekniku Sinella për përzgjedhjen e bërë por edhe punën për gjithë sezonin dhe pa frikë mund të them eshtë një ndër trajnerët më të mirë me të cilët kam punuar.

 Do ti rikthehesh futbollit të luajtur apo do të vazhdosh impenjimin në zyrë. Ku e ke ndjerë veten më mir?
E kam thënë që në momentin e parë se ky pozicion i ri është një sport i luajtur por tashmë jashtë fushe. Mund ta them se ky sezon i sapombyllur do të jetë i fundit për mua si futbollist pasi pozicioni i ri drejtues dhe angazhimi që ai të merr nuk ma lejon të përfshihem tek të dyja në mënyrën e duhur.

Pas largimit të Klodian dhe tashmë edhe tëndin, Tomori nuk e ka më një Arbri në fushë. A është ky një sinjal që mund të provohet rikthimi i vëllait tuaj, Polizoi?
Është ende herët për të folur pasi jo vetëm për Polin por edhe për merkaton sepse pritet të ketë një diskutim për të. Por familja Arbri në fushë apo jo do të jetë gjithmonë afër Tomorit dhe sportit beratas sepse tashmë është një detyrim për ne.
Do të vazhdoj e vetme Bashkia në menaxhimin e Tomorit apo do të ketë edhe aksioner të tjerë?
Ne në këtë menaxhim të ri jemi shprehur të gatshëm për bashkëpunim me donator dhe sponsor të ndryshëm. Do të vazhdojmë në të njëjtën linjë dhe jemi të hapur për secilin që kërkon të bashkëpunoj dhe në vazhdimësi do të pranojmë të ulemi në bisedime vetëm për të mirën e Tomorit dhe projekteve serioze.
A keni planifikuar më tepër për skuadrat e moshave në Berat?
Kjo është një tjetër pjesë e planeve tona e ardhmja e kësaj skuadre. Ndoshta në të ardhmen nuk do mundemi gjithmonë të sjellim lojtar të mir në Berat por kemi nisur punën ti krijojmë vet. Edhe skuadrat e moshave kanë nisur tashme me një menaxhim të ri. Po ashtu kemi zgjedhur dy trajner të rinj në ekipet U17 dhe U19 dhe nga sezoni i ardhshëm presim prurje në ekipin e parë.

Cili është objektivi i Tomorit për sezonin e ardhshëm?

Duam që këtë shembull pozitiv që dhamë të ishte realizuar edhe më herët që ne të mos ndodheshim në një situatë të tillë. Por njëkohësisht ne duam të vazhdojmë po kështu ndërsa përsa i përket të ardhmes. Shumë shpejt do të ketë një takim me kryetarin Sinaj, drejtuesve të tjerë të klubit, si edhe teknikut Sinella për të diskutuar të ardhmen e Tomorit. Do të flasim për objektivat dhe sigurisht merkaton. Synimi ynë është të ngrejmë lart sërish emrin e Tomorit atje ku i takon kësaj skuadre, këtij qyteti që ka edhe një stadium ndër më të mirët në Shqipëri në Kategorinë Superiore.

Related posts