Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947) 

Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947) 

Klerik, patriot e politikan i pushkatuar nga komunizmi 

Sheh Ibrahim Karbunara lindi në fshatin Karbunarë të Lushnjës në vitin 1879, në një familje fisnike me ndjenja atdhetare. Mësimet e mesme i mori në medresenë e Beratit, ku u shqua si nxënës i shkëlqyer. Pastaj shkoi për studime të larta teologjike në Stamboll, ku mori një arsim të plotë, të lartë, si klerik me pesë gjuhë të huaja: arabisht, osmanisht, persisht, anglisht dhe frëngjisht, si edhe i pajisur me një kulturë të gjerë të gjithanshme bashkëkohore.

Studimet dhe qëndrimi me kërkesa e punë intensive kombëtare, e bënë shehun e ri, Ibrahim Karbunarën, mjaft të njohur në rrethet politike të kohës në Stamboll. Ai u njoh atje dhe punoi përkrah rilindësve për çështjen kombëtare, prandaj edhe me t’u kthyer në teqenë e tij në Karbunarë, në vitin 1909, e internuan në Peqin, duke e cilësuar si «turbullues i miletit».

Teqeja halveti e këtij shehu ishte jo vetëm qendër për edukimin e tarikatit halveti, të shtrirë në shumë vise të Shqipërisë, por kur e donte puna edhe qendër për çështjen kombëtare shqiptare. Kështu sheh Karbunara me atdhetarë, si Nebi Sefa e të tjerë, ndihmuan kalimin pa rreziqe të Ismail Qemalit në nëntorin e vitit 1912 drejt Vlorës. Ai përkrahu pa rezerva Ismail Qemalin, me të cilin ishte njohur që në Stamboll dhe qëndronte përkrah tij në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912.

Nuk është rastësi që firmën e Ibrahim Sheh Karbunarës, këtij atdhetari të flaktë dhe politikani të pjekur, e shohim në krye të protestës që i drejtohet qeverisë së Durrësit në mbështetje të Dibrës e Çamërisë e mbetej në protestën që i drejtohet Turhan Pashë Përmetit, që kryesonte delegacionin në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Sheh Ibrahim Karbunara ishte ndër organizatorët kryesorë të Kongresit të Lushnjës dhe si delegat i vendit mikpritës hapi punimet e tij, duke u uruar mirëseardhjen përfaqësuesve nga e gjithë Shqipëria. Kësisoj ai mbeti kryetar nderi dhe ndër figurat e pashlyera në histori, si deputet dhe senator në atë kongres. Ai ishte dhe mbeti i tillë deri në fund të jetës, shok dhe mik i ngushtë i Fan S. Nolit, prandaj edhe mbështeti me të gjitha mundësitë e forcat opozitën dhe qeverinë e tij demokratike. Por fati e caktoi që pas dështimit të revolucionit të merrte udhën e mërgimit në Bari të Italisë. Megjithatë asnjëherë nuk i shkëputi marrëdhëniet me vendin dhe shokët e miqtë. At Gjergj Fishta qëndrimin e parë për në Vatikan, e fillonte në shtëpinë modeste të tij në Bari, ku kalonin ditë të tëra së bashku.

Ai u kthye nga mërgimi në qershor 1939, i fundit nga të riatdhesuarit, siç duket në pritje të ndonjë deklarate në përkrahje të fashizmit, të cilën ai nuk e bëri kurrë. Kthimi i tij u festua edhe nga populli i Lushnjës. Shpejt teqeja u gjallërua edhe më shumë nga vizitat e popullit të Myzeqesë, e të mbarë Shqipërisë. Është kjo arsyeja që teqja e Karbunarës bëhet që në fillim një nyje lidhëse e LNÇ ku rriheshin probleme të rëndësishme të ditës. Shtëpia e tij me gjithë teqenë u dogj nga fashizmi në gusht të vitit 1943, ndërsa nazistët e burgosën më 1944, por këto nuk e dobësuan më këtë burrë sa të urtë aq edhe trim. Ai e vazhdoi punën deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, me besimin se do të realizohej ajo që kish ëndërruar prej shumë vitesh, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, por ja që doli më shumë se i zhgënjyer. Për kontributin e dhënë në favor të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe të simpatisë që gëzonte në popull, ai zgjidhet deputet i rrethit të Lushnjës, në fushatën elektorale të 2 dhjetorit 1945. Kur erdhi momenti ai bindjet e tij për një Shqipëri të lirë nga komunizmi dhe për demokraci të vërtetë i shfaqi dhe i mbrojti me guxim së bashku me një grup deputetësh në parlamentin e pasçlirimit, por e pagoi shtrenjtë: para syve të tij ia pushkatuan të birin, Hysenin, e pastaj, ndërsa po mërmëriste një ajet të Kur’anit për atë që ndodhi, plumbat godasin gjoksin e këtij tribuni, duke u rrëzuar mbi trupin e të birit.  U bënë kështu dëshmorë të demokracisë. Eshtrat e tyre nuk dihen ende edhe sot.[1] Ata u pushkatuan në vitin 1947.*

[1]. Karbunara, Shemsi Sheh, gazeta “Drita Islame”, nr. 20, 1992:2.

Ribotuar në revistën “Zani i Naltë”, korrik, gusht, shtator 2018 nr. 24 (177), fq. 100.

Related posts