TË REZISTOSH PA URRYER

TË REZISTOSH PA URRYER

PARIS: “Duhet të dënojmë me vendosmërinë më absolute një akt barbar që nuk mund të përligjet kurrsesi, por në të njëjtën kohë le të mos biem pre e reagimit të urrejtjes.” Ky është komenti i parë, në të nxehtë, i Tzvetan Todorovit, përballë atentatit kundër Charlie Hebdo. “Më duket se në gjeste të këtij lloji, Islami është veçse preteksti për të shprehur mllef dhe një dëshirë mjaft konfuze për shpagim,” shpjegon studiuesi frëng, autor i sprovave si Frika prej barbarëve dhe Armiqtë e afërt të demokracisë. “Pulsione të cilave zakonisht nuk u japim shumë rëndësi, meqë ndalemi para së gjithash në motivet ideologjike dhe fetare që sillen prej atentatorëve.”

 

Shpagim kundër kujt dhe çfarë?

“Ndoshta është fjala për mllef të përgjithshëm ndaj botës perëndimore, nga ana e njerëzve që besojnë se po veprojnë në emër të Islamit dhe që kujtojnë se po marrin hak për fyerjet dhe diskriminimet që u bëhen myslimanëve anembanë botës. Natyrisht, kjo s’është veçse iluzion. Për më tepër, me veprimet e tyre të përbindshme, terroristët veç e ushqejnë edhe më tej intolerancën e përgjithshme ndaj myslimanëve dhe motivimet e partive ksenofobe në krejt Europën.”

Ka ndonjë tipar të veçantë të shoqërisë frënge që mund të shpjegojë akte të këtij lloji?

“Nuk besoj, ngaqë tensionet në lidhje me Islamin shprehen nga Gjermania në Hollandë, nga Norvegjia në Angli. Ka një klimë dyshimi, gjithnjë e në rritje në Europë, ndaj myslimanëve, arsye për çka duhet të bëjmë patjetër kujdes që të mos e ngatërrojmë Islamin në tërësi me terroristët që pretendojnë të veprojnë në emër të tij. Terroristët janë vrasës që duan të krijojnë një hendek të pakapërcyeshëm midis myslimanëve dhe botës perëndimore. Kjo ishte edhe ëndrra e Bin Ladenit, i cili, me sulmin e 11 shtatorit, dëshironte të nxiste një reagim të dhunshëm kundër krejt Islamit, në mënyrë që të gjithë myslimanët e planetit të ndiheshin të kërcënuar dhe në luftë. Ëndrra e terroristëve është të flasin në emër të mbarë Islamit, edhe pse në realitet përfaqësojnë vetëm një pakicë të papërfillshme. Shumica dërrmuese e myslimanëve janë njerëz paqësorë, që nuk kanë fare të bëjnë me terroristët dhe nuk e gjejnë veten në diskurset delirante të këtyre të fundit.”

Pse goditën pikërisht Charlie Hebdo?

“Ndoshta ngaqë kjo e përjavshme kishte botuar një varg karikaturash që paraqisnin Muhametin dhe, për këtë arsye, i bashkëlidhet një kritike të ashpër të Islamit, çka për terroristët është praktikë e patolerueshme dhe fyerje. Charlie Hebdo gjithnjë ka kritikuar lirisht si Islamin, ashtu edhe pozicionet islamofobike. Jo më kot, numri i kësaj jave ka vënë në kopertinë një karikaturë të Michel Houellebecq, romani i të cilit, Soumission, ushqen klimën e dyshimit ndaj botës myslimane.”

Është ky një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit?

“Simbolikisht po, është, dhe si i tillë është akt shumë i rëndë që duhet dënuar pa kusht. Por, meqë ra fjala, dua të kujtoj se nuk është e drejtë që liria e shtypit të konsiderohet si kolona qendrore e demokracisë. Kolona e vërtetë qendrore e demokracisë është ideja se, në një sistem demokratik, çdo pushtet ka caqe. Dhe kjo duhet të vlejë edhe për shtypin, i cili fiton legjitimitet pikërisht nga fakti që është në gjendje t’i vërë vetes caqe. Por ky diskurs, më i përgjithshëm, nuk mund të përdoret për të përligjur akte terroriste.”

Si të reagosh ndaj sulmeve si ky kundër Charlie Hebdo?

“Duhet një reagim shumë i vendosur nga policia dhe organet e drejtësisë, për të ndëshkuar fajtorët, por edhe për t’i mbikëqyrur më fort mjediset e ekstremizmit islamik. Por duhet bërë kjo, megjithatë, pa ndezur vatra të reja të urrejtjes dhe pa rënë në kurthin e islamofobisë, që i konsideron të gjithë myslimanët si rrezik. Të rezistosh pa urryer ka qenë ideali i shumë njerëzve të urtë dhe, sipas meje, është mënyra më efikase për të luftuar të keqen. Nuk kam shumë iluzione, megjithatë, sepse episode të këtij lloji, për fat të keq, shoqërohen nga urrejtja dhe vullneti për hakmarrje. Por të urresh botën myslimane do të ishte, në fakt, fitore e terroristëve, të cilët janë, objektivisht, aleatët më të vyer të islamofobisë.”

[Historian, filozof, kritik letrar, sociolog dhe eseist frëng me origjinë bullgare, Tzvetan Todorov-i është autor i një numri të madh librash dhe sprovash, që kanë ndikuar në mënyrë domethënëse në antropologjinë, sociologjinë, semiotikën, teorinë letrare, historinë e mendimit dhe teorinë e kulturës.]

Related posts